Patrick Paumen bën bujë sa herë që paguan diçka në një dyqan apo restorant.
Kjo pasi 37-vjeçari nuk ka nevojë të përdorë kartën bankare apo celularin për të paguar. Në vend të kësaj, ai thjesht vendos dorën e majtë pranë lexuesit të kartave.
Një dritë e vogël LED nën lëkurën e tij pastaj shkëlqen menjëherë dhe pagesa kalon.
“Reagimet që marr nga arkëtarët janë të paçmueshme!”, thotë Paumen, roje sigurie nga Holanda.
Ai është në gjendje të paguajë duke përdorur dorën e tij sepse në vitin 2019 ai ka vendosur një mikroçip pagese pa kontakt, pak më të madh se një kokërr orizi, të injektuar nën lëkurë.
“Procedura dhemb po aq sa kur dikush ju shtrëngon lëkurën”, thotë Paumen.
Një mikroçip u vendos për herë të parë te njeriu në vitin 1998, por vetëm gjatë dekadës së fundit teknologjia ka qenë e disponueshme në treg.
Dhe kur bëhet fjalë për çipat e pagesave, firma britaniko-polake, Walletmor, thotë se vitin e kaluar u bë kompania e parë që i ofroi ato për shitje.
“Implanti mund të përdoret për të paguar një pije në plazh në Rio, një kafe në Nju Jork, një prerje flokësh në Paris ose në dyqanin tuaj ushqimor lokal”, thotë themeluesi dhe shefi ekzekutiv Wojtek Paprota. “Ai mund të përdoret kudo ku pranohen pagesa pa kontakt”.
Çipi i Walletmor, i cili peshon më pak se një gram, përbëhet nga një mikroçip i vogël dhe një antenë e mbyllur në një biopolimer, një material i ngjashëm me plastikën.
Paprota shton se është plotësisht i sigurt, ka miratim rregullator, funksionon menjëherë pas implantimit dhe qëndron pa lëvizur. Ai gjithashtu zgjat pafundësisht dhe nuk kërkon bateri ose burim tjetër energjie. Firma thotë se tani ka shitur më shumë se 500 çipa.
Teknologjia që përdor Walletmor është komunikimi në terren ose NFC, sistemi i pagesave pa kontakt në telefonat inteligjentë. Implantet e tjera të pagesave bazohen në identifikimin me frekuencë radio (RFID), e cila është teknologjia që zakonisht gjendet në kartat fizike të debitit dhe kreditit pa kontakt.
Për shumë prej nesh, ideja e implantimit të një çipi të tillë në trupin tonë është e tmerrshme, por një studim i vitit 2021 me më shumë se 4000 njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian zbuloi se 51% do ta konsideronin atë.

Megjithatë, pa dhënë një shifër përqindjeje, raporti shtoi se “problemet e sigurisë mbeten një shqetësim i madh për të anketuarit”.
Pauman thotë se ai nuk ka asnjë nga këto shqetësime.
“Implantet e çipave përmbajnë të njëjtin lloj teknologjie që njerëzit përdorin çdo ditë, nga çelësat deri te zhbllokimi i dyerve, kartat bankare dhe cdo gjë tjetër.
Ekspertja Theodora Lau thotë se çipat janë thjesht “një zgjerim i internetit”. Me këtë ajo nënkupton një mënyrë tjetër të re të lidhjes dhe shkëmbimit të të dhënave.
Megjithatë, ndërsa ajo thotë se shumë njerëz janë të tërhequr ndaj idesë pasi kjo do ta bënte pagesën për gjërat më të shpejtë dhe më të lehtë, përfitimi duhet të peshohet me rreziqet. Sidomos kur çipat e integruar mbajnë informacionet tona personale.
“Sa jemi të gatshëm të paguajmë, për hir të lehtësisë?”, tha ajo. “Ku e vendosim kufirin kur bëhet fjalë për privatësinë dhe sigurinë?
Nada Kakabadse, pedagoge e politikës, qeverisjes dhe etikës në Shkollën e Biznesit Henley të Universitetit Reading, është gjithashtu skeptike për të ardhmen e çipave më të avancuar të integruar në trup.
“Kush i zotëron të dhënat? Kush ka akses në të dhënat? Dhe, a është etike të trajtohen njerëzit si kafshët shtëpiake?”
Rezultati, paralajmëron ajo, mund të jetë “shfuqizimi i shumë njerëzve për përfitimet e disave”.
Steven Northam, lektor për inovacionin dhe sipërmarrjen në Universitetin e Winchester, thotë se shqetësimet janë të pajustifikuara. Përveç punës së tij akademike, ai është themeluesi i firmës britanike BioTeq, e cila ka prodhuar çipa të implantuar pa kontakt që nga viti 2017.
Implantet e tij janë për personat me aftësi të kufizuara të cilët mund të përdorin çipat për të hapur automatikisht dyert.
“Kjo teknologji është përdorur te kafshët për vite me radhë”, argumenton ai. “Ato janë objekte shumë të vogla, inerte. Nuk ka asnjë rrezik”.
Duke e përshkruar veten si një “biohaker”, dikush që vendos pjesë të teknologjisë në trupin e tij në përpjekje për të përmirësuar performancën e tij, Paumen ka 32 implante gjithsej, duke përfshirë çipa për të hapur dyert dhe magnet të ngulitur.
“Gjithmonë do të ketë njerëz që nuk duan të modifikojnë trupin e tyre. Ne duhet ta respektojmë këtë dhe ata duhet të na respektojnë ne si biohakerë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




