Ngjarje

“Im bir mbeti pa punë nga Covid-19, shkoi në ndërtim se jepnin bukën falas”

Pas shumë dyshimeve nëse po ndërtohej pa leje si dhe shumë dëshmive, policia është bindur që Florian Ndou ka përfituar nga pandemia dhe ka tentuar të ndërtojë pa leje në tokën e tij pranë zonës së ish-Uzinës së AutoTraktorëve. Por ndonëse efektivët e policisë kapën në flagrancë në godinën një katëshe në ndërtim e sipër disa punëtorë, të gjithë ata mohonin që po punonin. Sipas tyre, ata kishin ardhur për të ndihmuar shokun e tyre që po kryente disa meremetime. Gaspër H. - thotë policia në dokumentin që Gazeta “Si” disponon - mori vëllanë dhe kushëririn e parë, pasi ishin kontaktuar nga i dyshuari për të ndërtuar një magazinë. Por teksa njëri nga puntorët i pyetur nga policia këmbëngulte se muret ishin të bëra dhe se ishte dita e parë që ishin angazhuar dhe jo si puntorë por për miqësi, alibinë e tyre e ka hedhur poshtë pa ditur gjë, njëri nga prindërit. Shtetasi Shkëlzen H, babai i Gaspërit, kur u pyet nga policia rrëfeu se si i biri mbeti pa punë pasi kompania ku ai punonte ishte mbyllur nga koronavirusi. “Personi që do ndihmojmë më tha im bir, e ka ushqimin gratis dhe do të shkonte të sistemonte dërrasat, pasi në ndërtim nuk i jepet. Djali është pushim në firmën që u mbyll nga pandemia, ndaj dhe shkoi atje. Ishte dita e tij e parë”.
Policia thotë se asnjëri nga tre punëtorët që u gjetën në ambjentet në ndërtim nuk kishin ardhur për miqësi, por të shtrënguar nga nevoja. Në përfundim, i pyetur nën praninë e avokatit, Florian Ndou që më pas u arrestua për ndërtim të paligjshëm, i tha policisë se më pak se një muaj më parë kishte nisur të ndërtonte një barakë në tokën që e posedonte prej vitesh. “Nuk kam dokumenta për tokën, por për këtë sipërfaqe nuk ka asnjë pretendim dhe konflikt. Nuk e dija që duhej marrë leje edhe për ngritjen e një barakeje”, i tha policisë i arrestuari, i cili pritet të dalë para gjykatës në ditët në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë