Art dhe Kulture

Ilir Kerni – Pakti i munguar me djallin që e largoi nga Shqipëria

Balerini dhe koreografi Ilir Kerni. Drejtor i Baletit në Teatrin Kombëtar, Split. Foto kortezi:Slobodna Dalmacija

Në ditën kur mbaron ideali dhe pasioni shteret, artisti nis të ndiejë shenjat e para të lodhjes. E udhës, mendon ai atë hop, është tërheqja dhe largimi… Kështu shprehej vite më parë Ilir Kerni, kur sapo kishte marrë detyrën si drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke pranuar se ishte pikërisht ai pasion dhe idealizëm i njeriut të përkushtuar ndaj artit, që e kishte çuar të pranonte më 2013-n jo pa e peshuar gjatë me vete, të vihej në krye të teatrit nga ku e nisi karrierën si primo balerin, në fillim të viteve ’80 e që për të ishte tempull i artit performues nga ku dolën dhe u shpërndanë në botë një plejadë artistësh, të cilët i dhanë emër dhe prestigj shkollës shqiptare.

Tiranë, 1986 - Premiera e baletit "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë" . lart, majtas: Agron Aliaj, Feim Ibrahimi, Albana Sulejmani, Ismail Kadare,  Naxhi Bakalli, Burhan Spahiu. Poshtë nga e majta: Ilir Kerni dhe  Ludmill Cakalli


Ai vetë do të largohej në janar të 1991-shit, me një bursë nga UESCO dhe një avion nga Rinasi për të zbritur në Paris, kryeqytetin e ëndrrave të çdo artisti, i cilido zhanri qoftë. Drejt e në skenën e “Grand Operas”, balerini ashtu si edhe vendi i tij që po përjetonte rrëzimin e regjimit diktatorial, po kapte shanset e tij në skenën europiane, në kufijtë e fundit që ka disiplina strikte e baletit. Trupi iu rrëqeth ndërsa vinte majat e gishtërinjve mbi qindra vite histori.

Tre vite në Paris, ku iu desh në një kohë të shkurtër të kapte të gjithë hendeqet që kishte krijuar komunizmi dhe izolimi dhe Kerni merr fluturimin drejt Kroacisë. Teatri i Zagrebit u bë kështu shtëpia e re, ku balerini do të ngrinte karrierën e tij të gjatë. Ishte viti 1994 dhe për Ballkanin ishin kohë të trazuara. Shqipëria që kish lënë pas atë ditë gri janari kishte nisur tranzicionin e gjatë drejt botës së panjohur të ekonomisë së tregut dhe pluralizmit, ndërsa në Zagreb do të bëhej dëshmitar i bombardimeve të 2 dhe 3 majit të vitit 1995, edhe në godinën e Teatrit Kombëtar, ku pa të plagoseshin 17 kolegë të tij, ndërsa ish-Jugosllavia po shpërbehej me gjak e me luftëra. Ishte ai episod ndoshta që e shënjoi të mos largohej shpejt nga Kroacia.

Ilir Kerni në skenë si balerin. Ai e nisi karrierën në Tiranë më 1980-n.


Kohët e trazuara do t’ia linin vendin shkëlqimit në skenë, fillimisht si balerin e më pas si koreograf, në të dy stadet do të vlerësohej me një sërë çmimesh. Por kur vendosi të varë këpucët e baletit, zgjodhi skenën e TKOB-it për shfaqjen e lamtumirës. Veshi edhe njëherë petkat e James-it në baletin “La Sylphide” më 2007-n për t’u rikthyer në Zagreb si koreograf.

Ilir Kerni në baletin "Giselle"


Do të kthehej sërish në Zagreb, tridhjetë e tre muaj pasi drejtoi Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit duke i sjellë skenës së Tiranës emrat e mëdhenj shqiptarë që tashmë u përkasin skenave botërore. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Angjelin Prelocaj, Gëzim Myshketa, Shkëlzen Doli e shumë të tjerë, ndërsa tentoi edhe të reformonte institucionin nga brenda me kontratat sezonale duke nxitur edhe konkurrencën mes artistëve, për të cilën pati edhe zëra të pakënaqurish. "Ka marrë fund statusi i përjetshëm në TKOB", deklaronte Kerni, duke u shkundur statusquo-në e rehatshme shumë të punësuarve në teatër, që prej vitesh nuk ishin ngjitur në skenë.

"Nuk di ç’të them! Jam në fillim të punës dhe çdo që mund të them, mund të përdoret si mosmbajtje fjale, në lidhje me synimet e mia” - Ilir Kerni

Drejtimi i TKOB-it nga Kerni përkoi në kohë rikonstruksionesh. Ai ishte një nga të parët që kishte artikuluar se Tiranës i nevojitet një skenë e përmasave europiane, ndërsa publikut një sallë dinjitoze. Imagjinonte se një epokë e re do të vinte për teatrin, që edhe ashtu mbante me vete historinë e baletit dhe të operas shqipe, ndërtuar më 1952 nën ndikimin e arkitekturës sovjetike e që fillimisht ishte njohur si Filarmonia e Shtetit.

"A jam i gëzuar për gjithë çfarë ka ndodhur dhe me këtë fakt?! Aspak, përveç përgjegjësisë, asnjë ndjenjë tjetër nuk ekziston tek unë" - Ilir Kerni

Në korrik të 2016-s, ndërsa në qytet pëshpëriteshin fjalë për shkarkimin e tij, Ilir Kerni njofton dorëheqjen. Kishte besuar si fëmijë, do të pranonte pak kohë pas dorëheqjes, në kohën kur pranoi detyrën e drejtorit të TKOB, ndërsa i ishte dorëzuar në pranim një ndjenje të thellë zhgënjimi. “Për mua, ajo periudhë është fillim epoke i teatrit normal, ashtu siç duhet të jetë. Sot, kur e mendoj, unë drejtor i TKOB për 33 muaj?! S’di pse e shtynë kaq gjatë me një tip si unë… ndoshta vështirësitë e suksesit dhe të pastërtisë…”, do të shprehej ai në deklaratat e pakta dy vjet më parë.

Kishte qenë buxheti i ulët i akorduar nga Ministria e Kulturë, atë kohë në drejtimin e ministres Kumbaro për TKOB-in që e kishin detyruar të jepte dorëheqjen. Kishte interpretuar në skenë Faustin dhe ishte nderuar madje me çmim, por ‘pakti me djallin’ nuk ishte opsion për jetën e vërtetë.

Ilir Kerni, Foto kortezi e "Slobodna Dalmacija"

Ndjenja e zhgënjimit total, që thoshte se po përjetonte pas dorëheqjes nuk zgjati shumë, pasi një muaj më parë nga Kroacia erdhi lajmi se Ilir Kerni ishte zgjedhur drejtor i Baletit të Teatrit Kombëtar të Splitit. Dëshira dhe ambicia profesionale për të garuar në pozicionin e drejtuesit të Teatrit të Splitit tregonin se pasioni dhe idealet për balerinin dhe koreografin nuk ishin shterur. “Nuk di ç’të them! Jam në fillim të punës dhe çdo që mund të them, mund të përdoret si mosmbajtje fjale, në lidhje me synimet e mia”, do të shprehej për Gazetën “Si” Ilir Kerni, i cili gjatë kësaj kohe që lakohej në mediat shqiptare se drejtori që dha dorëheqjen nga TKOB, tashmë është zgjedhur drejtor i një teatri kombëtar në Kroaci, kishte parapëlqyer të heshtte.

Ilir Kerni dhe bashkeshortja Dori Kerni, pas premierës "Stravinsky/Piazzolla" në Teatrin Kombëtar të Splitit.


Daljet e Ilir Kernit në media kanë qenë gjithnjë të rralla. “E vetmja gjë që mund të them është se do kalojë kohë…Sa ? Nuk e di, por s’ka për të pasur në kohë të gjatë shembull të tillë që një shqiptar të bëhet drejtor në një teatër kombëtar”, pohon Kerni, për Gazetën “Si”, duke shtuar se artistë shqiptarë do të ketë vazhdimisht në teatro të huaj, por nuk ka pasur një drejtor shqiptar jashtë vendit. “Pyetje mund të jetë: A jam i gëzuar për gjithë çfarë ka ndodhur dhe me këtë fakt?! Aspak, përveç përgjegjësisë, asnjë ndjenjë tjetër nuk ekziston tek unë. Do të ketë kohë për t’i parë gjërat në distancë kohore dhe atëherë mund të gjykojmë për gjithçka”, thotë Kerni, tanimë si Drejtor i Baletit të Teatrit Kombëtar të Splitit, me një kontratë deri në vitin 2023.

Ilir Kerni, foto nga Avni Selmani.


Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho ishte ndër të parat që e uroi, duke përgëzuar kroatët për “ largpamësinë dhe vlerësimin ndaj një vlere artistike kombëtare shqiptare”.


2019-ta është vit jubilar në karrierën e Ilir Kernit. Bëhen 25 vite në teatrin e Zagrebit, nga 1994 kur vuri këmbë për herë të parë atje. “ Nuk mendoja se do të qëndroja gjatë, kisha planifikuar vetëm për 6 muaj”, do të thoshte për mediat vendase drejtori i ri i Baletit në Teatrin Kombëtar të Splitit, ndërsa e ka çelur sezonin e ri me Stravinsky/ Piazzolla; koreografi të temave muzikore të “Katër Stinës e Buenos Aires” të argjentinasit të mirënjohur të tangos Astor Piazzolla, nga pesë koreografë të rinj bashkëkohorë si Claudio Cangialosi, Douglas Lee, Kristian Lever, Stephen Delattre dhe Igor Kirov. Kerni ka zbuluar se baleti i radhës do të jetë “Monger”, i koreografit izraelito-amerikan Barack Marshall, të cilin e pat sjellë edhe në Tiranë.

" Artistë shqiptarë do të ketë vazhdimisht në teatro të huaj, por nuk ka pasur një drejtor shqiptar jashtë vendit" - Ilir Kerni

Stravinsky/Piazzolla, Split, 26 tetor 2019.

“Dëshira ime është që t’i jap teatrit një impuls tjetër. Unë besoj thellë do të jemi në gjendje të bëjmë disa vepra të shkëlqyera, të ngjisim emra të mëdhenj në skenën e teatrit, në mënyrë që Spliti të hyjë në një marrëdhënie të barabartë me repertorin e skenave të mëdha. Unë besoj thellë se do të bëjmë një punë të mirë, jemi vetëm në fillim”, do të shprehej Kerni për mediat kroate se përse zgjodhi teatrin e Splitit. Me siguri, nën drejtimin e Kernit, Splitit nuk do t’i mungojnë emrat e artistëve të mëdhenj shqiptarë, ndërsa vizioni i tij duket të jetë hapja e skenës së atij teatri me emra ndërkombëtarë.

Ilir Kerni, foto nga Fahredin Spahija.


Kërkimi i suksesit me çdo çmim, thoshte dikur se ishte larg natyrës së tij. Me punë, pasion e ndershmëri, e kishte ndërtuar filozofinë e karrierës së tij. “Gjërat e pamerituara rëndojnë shumë mbi kurriz”, thoshte dikur ndërsa përkushtimin dhe vetësakrifikimin që artisti bën në emër të artit, e dinte se nuk mund të kuptohej nga të gjithë.
Me dyzet vite karrierë, njëzetepesë prej të cilave kaluar në skenat e huaja dhe me një përvojë zhgënjimi si drejtor i TKOB, Ilir Kerni tregon se pasioni brenda tij është ende i gjallë, aq sa për t’ia nisur nga e para si drejtor në vendin që e mirëpriti edhe si balerin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë