Shendet

Ilaçi kundër kancerit mund të luftojë edhe Covid-19

Një grup shkencëtarësh izraelitë mund të kenë zbuluar kurën që lufton 100 për qind Covid-19. Ata thonë se e kanë testuar atë tek dy raste pacientë që ndodheshin në terapi intensive dhe rezultati ishte përmirësimi i ndjeshëm i gjendjes së tyre brenda pak ditëve.

Studimi ka për autorë kompaninë bio-farmaceutike izraelite, “RedHill Biopharma Ltd” dhe ilaçi eksperimental që kjo kompani ka përdorur quhet Opanagib, një ilaç që merret nga goja në formën e tableteve, që në të shkuarën është testuar kundër kancerit dhe për të luftuar virozat dhe sëmundje të tjera të organeve frymëmarrëse.

“Jemi shumë besimplotë nga rezultatet paraprake. Pacientët e trajtuar me këtë ilaç kanë treguar një përmirësim të ndjeshëm dhe për më tepër pa efekte anësore”, deklaroi drejtori i “RedHill”, Mar L. Levitt.

Ilaçi vetë nuk lufton drejtpërdrejtë virusin, por nxit organizmin në prodhimin e antitrupave dhe nga testimet e deritanishme është provuar që lehtëson inflamacionin në mushkëri tek pacientët e prekur.

“Kjo do të thotë se Opanagib mund të parandalojë rastet e rënda, pra të shmangë që një pacient i caktuar të ketë nevojë për vendosjen nën frymëmarrjen e drejtuar”, sqaron Levitt.

Vetë shkencëtarët e kompanisë izraelitë tregohen të përmbajtur dhe thonë se ka nevojë për më shumë teste. Vështirësia lidhet me faktin që Opanagib nuk lufton drejtpërdrejtë virusin, por e bën këtë përmes nxitjes së prodhimit të antitrupave nga ana e organizmit të personit. Por, më shumë teste nevojiten për të mësuar nëse efektet janë njësoj tek të gjithë personat, apo ndryshojnë në bazë të imunitetit të pacientit dhe faktorëve të tjerë.

Megjithatë, nga vlerësimet e deritanishme risku i efekteve anësore të kësaj kure janë mjaft të ulta. Për këtë arsye, vende që janë në gjendje emergjence dhe ku situata nuk mund të presë deri në realizimin e testimeve të tjera kanë dhënë dritën jeshile për përdorimin e Opanagib.

Në Itali, Instituti i Sëmundjeve Infektive i dha dritën jeshile kompanisë që të përdorë këtë ilaç tek 160 pacientë në tre spitale në Italinë e Veriut, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë ende kohë për të vendosur nëse do të përfshijnë opanagibin në trajtimin e pacientëve me Covid-19 apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë