Gazeta Si - Për të parandaluar fluksin e emigrantëve shqiptarë që kalojnë brigjet e La Manshit me gomone, autoritetet britanike kanë nisur të aplikojnë një skemë-pilot për riatdhesimin e tyre në kohë rekord.
Sipas "Daily Mail", kjo gjë nuk i ka penguar shqiptarët të vijojnë të zgjedhin largimin me gomone për në Angli.
Por nëse kapen, ata refuzojnë të kërkojnë azil, pasi druhen se do të dërgohen si “pako postare” në Ruanda.
Pikërisht “Home Office” konfirmoi së fundmi se 11 shqiptarë u dërguan në shtëpi me një avion çarter javën e kaluar si pjesë e këaj skeme.
Kur emigrantët mbërritën nga Franca veriore në fillim të këtij muaji, ata u dërguan në një ish bazë ajrore RAF në Manston, Kent, e cila po përdoret për të zmprapsur emigrantët që kalojnë kanalin e La Manshit.
Pasi refuzuan të kërkonin azil, autoritetet i nisën menjëherë për në Shqipëri me avion. Të 11-të shqiptarët u dërguan në aeroportin Stansted, ku hipën në një fluturim me çarter për në Tiranë, thanë burimet.
Media britanike e konsideron një përparim të madh në trajtimin e emigrantëve që vijnë me gomone këtë marrëveshje, pasi shtatë javë më parë ish-Sekretarja e Brendshme Priti Patel, propozoi një marrëveshje me homologun e saj shqiptar për një skemë të ‘largimit të shpejtë’.
Edhe pse ky projekt ende nuk është ratifikuar përfundimisht, besohet se ripërtëritja e bashkëpunimit me qeverinë e Tiranës luajti një rol në largimin e 11 shqiptarëve.
Por përqindja e aplikimit për azil mendohet se ka rënë, nisur nga skema e qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në Ruandë, raporton gazeta britanike "Daily Mail".
Kur Patel publikoi skemën në gusht, burimet treguan se në disa raste shqiptarët mund të ktheheshin mbrapsht 'brenda disa orësh'.
Oficerët e lartë të policisë nga Shqipëria erdhën në Britani për të vlerësuar se si mund të punonin së bashku me zyrtarët e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Patel tha në momentin e njoftimit: “Është e turpshme dhe absurde që kaq shumë shtetas shqiptarë po hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla kur vendi i tyre, Shqipëria, është një vend i sigurt”.
“Home Office” ka nisur gjithashtu një fushatë për të penguar shqiptarët që udhëtojnë ilegalisht në Britani. Sipas “Daily Mail”, mësohet se 40 % e emigrantëve që futen nga Franca veriore janë shqiptarë.
Që nga fillimi i vitit, rreth 37.000 emigrantë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe, ku 10.000 prej tyre mendohet të jenë shqiptarë.
Para verës, rreth nëntë në dhjetë shqiptarë kërkonin azil, edhe pse nuk ka pasur asnjë konflikt për më shumë se 25 vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.