Njerez

COVID merr Arjanin e “Ilirisë” që nuk iu shit komercializmit

Në rrugën "Paso Vasha" për shumë syresh kjo mbrëmje fundvjeshte mardh më shumë dhe ndriçimi i rrugës është i akullt.

Vërej disa të rinj që kapërcejnë gardhin e bar Ilirisë për të vendosur lule dhe ndezur qirinj.

Mësoj ndër buzë që bashkohen gjithë trishtim se Arjani i "Ilirisë" nuk jeton më nga COVID-19.

Me siguri me merakun se çdo të bëhet me Oazin e tij.

Bar Iliria, që nuk ndryshoi kurrë që fill pas vitit “90 kur çeli kopshtin për herë të parë, ishte derë e hapur për humanë dhe kafshë që e shihnin si strehë për t'u ushqyer dhe prehur nën hije a strukur në ditë të ftohta me shi.

Ajo që mund të kujtosh nga ky vend është kopshti; dimër verë askush nuk preferonte të qëndronte në mjedisin e brendshëm të barit, emri i lokalit merrte kuptim me lirinë që të jepte natyra në ajër të pastër, tavolinat e vogla dhe karriket plastike portokalli, Arjani stoik, me të njëjtën shprehje fytyre, I heshtur, asnjëherë i buzëqeshur dhe banakierja e cila shërbente edhe ajo kur në lokal nuk ishte Arjani.

Klientela kishte profile interesante, nuk ishin fytyra të zakonshme. Kryesisht ishin të rinj rrokerë, edhe mosha të tjera por me një botkuptim ndryshe për jetën. Ai bar ka ngjizur edhe shoqëri e dashuri në oborrin e tij ku njerëzit vraponin si për në shtëpinë e gjyshes.

Nuk kishte asgjë të sofistikuar në atë lokal.

Ilirinë jo përherë e gjeje hapur. Arjani e përfaqësonte më së miri emrin që i kishte atashuar biznesit të vet. Në fakt nga mënyra e sjelljes ndaj tij, nuk mund të thuash që e konsideronte si biznes, ai e kishte pasion t'u shërbente njerëzve të bukur, madje kishte një nuhatje intersente për të pranuar klientët. Atyre që nuk i pëlqente nuk u shërbente dhe ata ishin të detyruar të largoheshin.

Kujtoj që pasditeve nuk bënte kafe dhe në banakun e tij gjendej vetëm birrë shqiptare.

Një pasdite vere në 2016-ën shpura një mikun tim gjerman, dramaturg për një birrë.

Literalisht ai u mahnit nga thjeshtësia dhe energjia e bar Ilirisë e shoqëruar me birrën shqiptare të freskët për të cilën komentoi se “na konkuroni edhe ne me këtë birrë”.

Arjani të dielave kryesisht e mbyllte, edhe në drekë pushonte.

“Ishim një ditë do kohë më parë dhe kërkuam qofte. Po kam tha Arjani, fiks 6 sa kërkoni. Por shumë shpejt u kthye nga brenda banakut tek tavolina jonë dhe tha, nuk po ua bëj sepse po I dashkam për vete”- kujton Tani dhe thotë “Ja kështu ishte. Bënte atë që mendonte dhe mendonte atë që bënte, por nuk fyente njeri”.

Edhe pse i rezervuar, i heshtur dhe me një sjellje jo të zakontë për një pronar bari, Arjani e ktheu Ilirinë në një vend të pazëvendësueshëm për shumë syresh në kryeqytet.

Në pjesë të memories kolektive të Tiranës që ai e rujati me aq fanatizëm duke i rezituar tundimit për ta shitur edhe pse kërkesat ndër vite për ta blerë mund të kenë qenë të majme.

"Me trishtoi Më trishtoi shumë lajmi për humbjen e Arjanit, Arjani i Ilirisë. I vetmi vend që i rezistoi tjetërsimit dhe komodifikimit në qendër të dalldisë dhe konsumerizmit të shpejtë të bllokut. Ai i vetmi që s'iu nënshtrua tekave të tregut apo të klientëve; ashtu fjalëpak vendoste vetë kur të sherbente, kur të përcillte, kur të qeshte dhe pastaj humbiste mbrapa banakut dhe muzikës së mirë. Me ty humbëm një pjesë të qytetit Arjan. Lamtumirë!”- shkruan aktivistja Deni Sanxhaku në profilin e saj në facebook e ndjekur nga dhjetra komente ngushëllimi dhe keqardhje për këtë figurë të veçantë të qytetit.

Kurse përkthyesi shkodran Astrit Cani shkruan:"Nji mbasdite ishim ulë me do miq te nji tavolinë nën hijen e lehtë të arrës te Bar Iliria. Kur erdhi i zoti i vendit me na ndrrue shpuzoren, nji gjethe u kput dhe ra në tokë me nji piruetë të përsosun. Më duket se mbartte nji korrizë, çka e bani ramjen e saj nji formë fluturimi. - Është vepër inxhenierike, - tha Ariani, dhe e mori e vuni mbi tabake. N'at çast mu duk se pashë që nji syth buzëqeshje po miçatej nën qepallat e tij të përfjetuna. Ktë shprehì s'ia kisha pa' ndojherë. Kishte prorë nji shikim mes bluesit dhe jazzit si muzika që zgjidhte dhe servirte me aq shije të hollë. Njeriu nuk kishte asnji pikë vneri, gja pafundësisht e rrallë ndër shqiptarë, dhe kur doje me lanë nji tokim civil ku stresi dhe kakofonia të mos përziheshin, vendi ma i mirë ishte për çudi mu në bllok, te klubi hijelehtë i quejtun baçja, caku i njeriut pa tamth. Me ikjen e usta Arianit, shuhet edhe oazi i fundit i njerzve të qetë në Tiranë."

Arjani ishte I lidhur me traditën dhe historinë. Në llogarinë e facebook të Bar Ilirisë në një postim të vitit 2015-të, Arjani rrëfen historinë e pemës pranë Teatrit Kombëtar.

“E shihni këtë pishë para godinës së Teatrit Kombëtar? Ajo e ka një histori... Aty nga fundi I vitit 1946 , TEATRI I SHTETIT ( Kështu quhej atëherë Teatri Kombëtar ) , pregatitej të festonte Krishtlindjen e parë të themelimit të tij . Artistët e kësaj trupe , për të improvizuar një pemë Krishtlindjeje brenda ambienteve të teatrit, prenë majën e pishës që ishte mbjellë pikërisht aty ku ndodhet dhe sot; D.M.TH. para teatrit . Në atë kohë, pisha ishte e njomë, e humbi bukurinë. Sot kanë kaluar 71 vjetë , pisha është rritur dhe ka rifituar bukurinë . Si thoni, a nu ia vlen që të quhet pisha e Krishtlindjes ?”

Kryeqytetit ia grabitën trashëgiminë e Teatrit Kombëtar, ashtu si shumë godina e lagjje të tjera që tiransit e vjetër disa të jetuara, të tjerë syresh nga rrëfimet e gjyshërve sjellin ndërmend, Arjanin që krijoi një qoshkë që i rezistoi tufanit të kohës së tjetërsimeve humbi nga COVID.

Në arkitekturë flitet për Konservimin në kontekstin e Trashëgimise Kulturore dhe veprave të listuara si monumente; Bar Iliria vërtet nuk bënë pjesë në këtë kategori, por mund të ruhet si pjesë e memories kolektive që nuk iu nënshtrua këtij qyteti të betonizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë