Shendet

Ideja se do të ketë një valë të dytë të Covid-19 na bën të mos tregojmë kujdes tani

Tashmë biseda për një valë të dytë ka mbizotëruar kudo në lajmet e koronavirusit. Në të gjithë botën, vendet që më parë kishin nën kontroll virusin, tani po i rikthehen kufizimeve pas një numri të madh rastesh.
 Për muaj të tërë, ne kemi folur për një valë të dytë sikur të ishte diçka në të ardhmen e largët, madje kemi diskutuar se çfarë duhet të bëjmë për t'u përgatitur ndërkohë, por duke parë gjithë ato vende të kthehen në kufizime të ndryshme, është e vështirë të mos mendojmë se vala e dytë është afër.
Ndërsa të flasim për një valë të dytë sikur është e pashmangshme mund të na ndihmojë të përgatitemi mendërisht për kufizime të reja dhe izolimin, ajo gjithashtu na çliron nga të gjitha përgjegjësitë dhe ky është një problem. Pse?
Sepse siç shpjegon Dr. Meg Arroll, psikologe dhe eksperte në kompaninë më të madhe të shpërndarjeve të medikamenteve në Mbretërinë e Bashkuar "Healthspan", duke folur për një valë të dytë sikur të jetë plotësisht jashtë kontrollit tonë mund të nënkuptojë se kemi më pak mundësi të përfshijmë sjellje parandaluese për të frenuar përhapjen e virusit.
"Në fushën e psikologjisë, ekziston një bazë e fortë e provave që demonstrojnë se si besimet tona ndikojnë në sjelljen tonë. Këto besime përfshijnë nëse ne ndjehemi se kemi kontroll mbi një rezultat, ose nga ana tjetër, nëse është e pashmangshme," tregon Arroll.
Ajo thotë se ky koncept njihet si" lokusi i kontrollit" i cili është i konceptuar si i brendshëm dhe i jashtëm. Kur kemi një lokus të kontrollit të brendshëm, besojmë se veprimet tona mund të ndikojnë në një rezultat për shembull, kur mendojmë se ngrënia e një larmie frutash dhe perimesh do të ndikoje në shëndetin tonë, ne kemi shumë më shumë gjasa të ndjekim atë lloj diete.

Nga ana tjetër është kontrolli i jashtëm. P.sh nëse ne mendojmë se shëndeti ynë është kryesisht përgjegjësi e mjekëve, ne kemi shumë më pak të ngjarë të tregojmë kujdes për shëndetin tonë.
Në këtë mënyrë, të flasim për një valë të dytë sikur të jetë e pashmangshme na heq besimin se veprimet tona për të ndaluar përhapjen e virusit brenda komunitetit siç është vendosja e maskës ose respektimi i distancimit social,  mund të ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm.
 "Nëse ne nuk mendojmë se sjellje të tilla si larja e duarve, vendosja e maskave dhe distancimi social do të bëjnë një ndryshim në shkallët e infeksionit, vetë mendja jonë na shtyn që ne mos t'i ndjekim këto udhëzime" thotë Arroll.
Edhe pse një valë e dytë mund të jetë mjaft e mundshme në këtë pikë, është e rëndësishme të mbani mend se nuk është ndonjë armik i pakontrollueshëm, misterioz që do të na marrë, është rezultat i qindra rasteve që ndodhin të gjitha menjëherë, disa prej të cilave mund të parandalohen nga vendosja e maskave, distancimi social dhe kufizimi i kontaktit tonë me të tjerët.
"Veprimet tona gjatë dy muajve të ardhshëm kanë fuqinë për të zvogëluar mundësitë për një valë të dytë të mundshme, përfshirë mënyrën se si ne flasim për vetë temën. Edhe pse një valë e dytë mund të jetë e mundshme në këtë pikë, të gjithë ne kemi një përgjegjësi të kujdesemi për veten dhe ata përreth nesh" thotë Arroll.
Në fund të fundit, çdo rast që parandalohet mund të jetë një jetë e mundshme e shpëtuar dhe çfarë është më e rëndësishme se kjo?

Burimi:Stylist\Përktheu:Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë