Ngjarje

Ideja gjeniale, refugjat në Angli me kamionët e Formula 1

Përpjekjet për të shkuar në Angli në vitet e fundit janë bërë edhe më të vështirë. C çdo vit mediet britanike dhe ato europiane raportojnë për mënyra inovative për të kaluar në Angli në mënyrë ilegale. Në kroskotin e kamionëve, në kontejnerë mallrash dhe shumë mënyra të tjera, por këtë herë ‘gjenialiteti i trafikantëve’ i ka kaluar pritshmëritë e rojeve kufitare britanike.

Sipas “The Sun” këtë herë klandestinët kanë përdorur kamionët e skuderisë italaine, Ferrari për të shkuar në Britani. Në kuadër të Çmimit të madh të Silverstone që zhvillohet këtë javë të gjitha skuderitë zbarkuan në Angli me të gjitha mjetet e tyre që sigurisht i transportojnë me kamionë.

Në momentin kur kamionët e Ferrarit ishin duke zbarkuar në parkingun e pistës së Silverstone, komisarët kanë pikasur disa zhurma të çuditshme. Ishin disa emigrantë që ishin futur në kamionët e mbushur me goma dhe pjesë e këmbimit për makinat e garave.

Komisarët të befasuar në fillim nga kjo gjë patën edhe frikë, pasi iu druheshin ndonjë armatimi të mundshëm të këtyre klandestinëve, por më pas u konstatua se ata kishin qenë pa armë dhe iu dorëzuan policisë së emigracionit.

Kamionët e Ferrarit ishin ndër të parët që kishin mbërritur ne Silverstone dhe më pas të gjithë kamionët e tjerë iu nënshtruan një kontrolli të rreptë. Sipas medieve britanike klandestinët e kishin planifikuar shumë mirë këtë veprim të tyre. Ata kishin zgjedhur të futeshin në kamionin i cili transportonte gomat dhe pjesët e këmbimit, pasi është ai që ka më pak kontrolle doganore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë