Gazeta Si - Në një kontroll të befasishëm në shtëpinë e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj dhe dy banesave të familjarëve të tij në Kurbin, Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh, të fshehur në kosheret e bletëve.
Mëngjesin e kësaj të hëne, dhjetëra makina të FNSH-së dhe RENEA-s kanë rrethuar shtëpinë e Martinajt në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Efektivët mësohet se kanë mbërritur atje që prej orëve të mëngjesit, ndërkohë që edhe pas kryerjes së kontrolleve, kanë qëndruar në zonë për rreth 4 orë.
Në një njoftim, Policia e Shtetit tha se kontrollet e befasishme u kryen në 3 banesa dhe në disa ambiente të ndryshme në Fushë Kuqe.
Arsenal armësh dhe municionesh
Nga sa mësohet, në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj, u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Policia nuk ka asnjë përgjigje nëse Martinaj është gjallë apo jo, por këto kontrolle mund të jenë një shenjë se grupi hetimor nuk ende asnjë provë për vdekjen e tij.
Madje edhe idea që kontrolli është zhvilluar pikërisht natën e Krishtlindjeve mund të jetë një arsye që grupi hetimor mund të ketë dyshuar se Martinaj mund të ishte për festa pranë familjarëve.
Siguria e banesës
Një ndër personat më të njohur të botës së krimit, Martinaj ka një siguri tepër të lartë në banesën e tij, e cila është e rrethuar me mure 3 metra të lartë të rrethuar me tela me gjemba.
Banesa e tij ndodhet rreth 200 metra larg fshatit Fushë Kuqe në Kurbin. Rruga kryesore nga qendra e fshatit deri tek banesa e Martinajt është me kamera sigurie. Ndërkohë vila ndodhet në thellësi të zonës së rrethuar me mur, rreth 500 metra nga muri rrethues.
Kontrolli mësohet se është pjesë e veprimeve hetimore që Policia e Shtetit po kryen për të zbardhur fatin e biznesmenit të shumëkërkuar, i cili u denoncua i zhdukur nga familja e tij në fillim të gushtit të këtij viti.
Kontrollet u kryen me vendim gjykate në funksion të dosjes hetimore, që SPAK ka hapur ndaj Ervis Martinajt pas operacionit “Plumbi i Artë”.
Për herë të fundit!
Gjurmët e fundit të Ervis Martinajt janë disa pamje të kamerave të sigurisë, të datës 7 gusht 2022 ku biznesmeni shikohet duke lëvizur në zonën e "Zogut të Zi" në Tiranë.
Bashkë me biznesmenin ka qenë edhe punonjësi i policisë, Jeton Lami, i cili rezulton ta ketë lëvizur të kërkuarin në disa qytete të vendit. Për këtë arsye, efektivi i policisë u arrestua vetëm pak javë pas denoncimit për zhdukjen e Ervis Martinajt.
Ky i fundit, para se të denoncohej i zhdukur, ishte shpallur në kërkim nga SPAK me akuzën e vrasjes dhe grupit kriminal në kuadër të dosjes "Plumbi i Artë".
Dëshmia e Dumanit
Arrestimi i vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani, nxori në dritë kërcënime serioze që i kanoseshin Indrit Dokles, ish-anëtar i bandës së Durrësit. Sipas Dumanit, Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro nëse ai do të eliminonte Indrit Doklen.
Pas publikimit të dëshmisë së Dumanit, në vend ndodhën krime ku u eliminuan njerëz dhe miq të Martinajt, përfshi dhe kushëririn e tij, Brilant Martinaj, kur ndër të dyshuarit ishte edhe Indrit Dokle, por që për të policia nuk ka ende prova.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të Martinajt në qytete të ndryshme, por pa rezultat.
Ai konsiderohet si një nga njerëzit më të njohur të botës së krimit, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.
Për të hedhur dritë mbi fatin e tij, kryeministri Rama i kërkoi Policisë së Shtetit të japë përgjigje bazuar në prova, brenda një kohë të shkurtër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.