Gazeta Si – Një trup i dekompozuar është gjetur në një zonë malore mes Tiranës dhe Elbasanit, pranë fshatit Ibë, ndërsa dyshimet e para janë se mund të bëhet fjalë për 34-vjeçarin Eglant Koçi, i zhdukur prej datës 4 qershor.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupi është konstatuar gjatë verifikimeve nga ajri me dron, në një terren të vështirë dhe të paarritshëm, ku prej ditësh policia po zhvillonte kërkime intensive. Sipas të njëjtave burime, trupi nuk është gjetur i groposur.
Menjëherë pas zbulimit, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët kriminalistikë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur procedurat për dokumentimin e provave dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Identifikimi i viktimës pritet të kryhet përmes ekspertizës mjeko-ligjore dhe analizave laboratorike. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të mund të konfirmohet zyrtarisht nëse trupi i përket Eglant Koçit.
Hetimet janë fokusuar te rrethanat e zhdukjes së 34-vjeçarit, ndërsa në kërkim vijon të jetë Armand Shakaj, i dyshuar si autor i ngjarjes, i shpallur në kërkim nga policia.
Sipas të dhënave hetimore, ai dyshohet se më 6 qershor ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e Koçit drejt zonës së Ibës.
Pikërisht në këtë zonë, ishin sinjalet e fundit të celularit të Shakajt. Ai e mori të riun me forcë në zyrën e tij në Tiranë ku dhe mendohet të jetë vrarë.
Më pas, Shakaj e ka nxjerrë dhe transportuar në makinën e tij, të cilën e kishte vendosur në një karrotrec për të humbur gjurmët.
Për të mos u zbuluar, 41-vjeçari kishte ndërruar të paktën 6 herë numrin e celularit. Pista kryesore e konfliktit mes dy djemve dyshohet të kenë qenë mosmarrëveshjet për kriptovalutat dhe paratë me fajde.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje