Lojëra me Dore

I vetmi problem për Nadal është një… tifoze, spektakël i Tsitsipas

Dita e katërt e “Australian Open” është mbyllur me kalimin e turit nga Rafael Nadal, i cili mundi në tre sete amerikanin Mikael Moh (numri 177 në botë), 6-1, 6-4 dhe 6-2. Një provë që duhej kaluar mbi të gjitha për të verifikuar gjendjen fizike të spanjollit. Ai ka hequr çdo dyshim me formën që tregoi.

I vetmi moment delikat i ndeshjes ishte kur një spektatore filloi ta bezdiste Nadalin. Ishte momenti kur po mbyllej seti i dytë. Tifozja, me shumë mundësi e dehur, e ndërpreu lojën disa herë, duke e shpërqendruar tenistin spanjoll. Në një moment ajo i tregoi gishtin e mesit dhe më pas u nxorr jashtë nga rojet e sigurisë. Më pas gjithçka u kthye në normalitet. Në turin e tretë Nadal do të ndeshet me britanikun Kameron Norri.

Nadal buzëqesh në momentin kur bezdiset nga tifozja. Gazeta Si, 11 shkurt 2021

Vazhdojnë me paraqitjen e mirë dy tenistët rusë. Andrei Rublev, numri 8 në botë, kaloi në 3 sete brazilianin Tiago Monteiro, 6-4, 6-4 dhe 7-6. Ndeshja u kontrollua e gjitha nga rusi, i cili bëri 16 ejs. Rublev nuk humbet që nga nëntori i vitit të kaluar dhe kundërshtari i tij i radhës është spanjolli Feliciano Lopez. Danil Medvedev mundi në 3 sete spanjollin Roberto Karbales Baena, 6-2, 7-5 dhe 6-1. Në turin e tretë do të sfidojë serbin Filip Krajinoviç.

Ndeshja më spektakolare e ditës ishte fitorja në 5 sete e Stefanos Tsitsipas ndaj australianit Thanasi Kokinakis, 6-7, 6-4, 6-1, 6-7 dhe 6-4. Një ndeshje me ritëm të lartë nga të dy tenistët dhe që zgjati 4 orë e 32 minuta.

Stefanos Tsitsipas feston fitoren. Gazeta Si, 11 shkurt 2021

Tsitsipas nuk e humbi toruan në asnjë moment, ndërsa Kokinakis kthehej pas 16 muajsh mungesë dhe arriti të rezistonte mirë ndaj grekut. Thelbësore për ekuilibrin e ndeshjes ishte mbështetja e publikut, madje ishte edhe Kirgios që e duartrokiti Kokinakis. Tsitsipas do ndeshet tashmë me suedezin Ymer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë