Albin Kurti duket se do ti japë fund të dielën agonisë politike në Kosovë, duke vendosur përfundimisht nëse do të shkojë në qeveri i vetëm apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kreu i Vetvendosjes ka vendosur të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të partisë për të vendosur mbi fatin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Ky vendim vjen pasi dy ftesat e Hashim Thacit nuk arritën ta conin Kurtin në presidencë për të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Arsyet e nxjerra nga Kurti nuk mund të ishin asgjë tjetër vecse sinjali i fundit se gjatë këtyre dy muajve bisedime mes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kishin lindur më shumë mosmarrëveshje, sesa ishte arritur një afrim për formimin e qeverisë. Dhe mbledhja e Këshillit të VV-së është parë tanimë si një pikë kthesë për t’i dhënë fund kësaj bllokade politike, e cila mund të rezultojë edhe me zgjedhje të reja.
Kjo u bë e qartë për publikun që nga seanca e parë e Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, e cila i gjeti VV-në dhe LDK-në pa një draft-marrëveshje për qeverisje të përbashkët.
Deri pak orë para mbledhjes të dyja partitë kishin shkëmbyer ide për themelimin e institucioneve dhe zgjedhjen e drejtyesve të tyre ku "mollë sherri" ishte shfaqur posti i presidentit, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të shkojë në opozitë. Të enjten LDK tha se është e gatshme të votojë ngritjen e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje pa u bërë pjesë e saj. Madje deputetët e kësaj partie votuan për kryetarin e parlamentit nga radhët e Lëvizës Vetëvendosje. Por për analistët kjo është një shenjë se Vetëvendosja mund të vendosë ose të shkojë në qeveri pa LDK-në.
Kurti është kandidati i vetëm deri më tani për postin e kryeministrit dhe si i tillë duhet të mbajë takime konsultativ me presidentin e Kosovës, për të marrë edhe zyrtarisht mandatin. Por çfarë vendimi do të merret gjatë mbledhjes të së dielës, në kushtet kur Kurti nuk ka arritur një marrëveshje koalicioni me LDK-në?
Sipas analistit Artan Muhaxhiri në rast se nuk do të ketë një marrëveshje eventuale ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e cila sipas tij, është pak ose fare e besueshme që mund të arrihet, atëherë Kosova pritet të shkojë në zgjedhje.
“Mendoj se zgjedhjet e reja janë opsioni më real që të dilet nga kjo bllokadë, sepse çdo opsion tjetër do ta vazhdonte agoninë politike në Kosovë”, thotë Muhaxhiri.
Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se pas emërimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha marrëveshjet paraprake do të dështojnë.
Një ditë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës presidenti Thaçi duket se shfrytëzoi të drejtën e tij për të thirrur Kurtin në Presidencë. Por këmbëngulja e presidentit Thaçi për ta mandatuar sa më parë kryeministrin e ri është parë si një lëvivzje e qëllimshme për t’i kufizuar afatin kohor Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e koalicionit qeverisës. Mirëpo edhe anulimi i takimit me Thaçin nga ana e Kurtit, sipas partive tashmë opozitare, është parë si mungesë gadishmërie përr të marrë përgjegjësitë që i takojnë në qeverinë e re".
Analisti Armend Muja, thotë se brenda afatit prej 15 ditësh që nga marrja e mandatit, Lëvizja Vetëvendosje duhet të paraqesë qeverinë e re, e cila duhet të marrë mbështetjen e shumicës së thjeshtë në kuvend apo të 61 deputetëve.
“Kjo është në rast se ka marrëveshje me LDK-në. Sipas, supozimeve të mëhershme, atëherë kryetari i kuvendit që u zgjodh të enjten, mund të japë dorëheqje dhe mund të zgjidhet një kryetar tjetër. Por në rast se nuk ka marrëveshje dhe LDK-ja premton që do ta votojë qeverinë Kurti, mund të kemi një qeveri jo shumice, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën në Kosovë, gjatë kohës se Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re - pra, një qeveri që është e votuar, mirëpo që nuk ka numra të mjaftueshëm në kuvend. Gjithsesi, këto lloj qeverish mund të funksionojnë, por nuk kanë peshë”, thotë Muja.
Kurti iu shmang marrjes së mandatit, për të njoftuar më pas mbledhjen e këshillit të VV-së, me arsyetimin se nuk ndodhej në Prishtinë.
“Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e takimit”, ka deklaruar Vetëvendosje në një njoftim për shtyp. Takimi ishte caktuar në orën 13.30. Por, pasi Kurti nuk u paraqit, Thaçi bëri edhe përpjekjen e dytë, duke i dërguar letër për një takim në orën 20.00.
“Unë u bëj thirrje të gjithëve që të mos e vonojnë krijimin e qeverisë. Njerëzit dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi.
Por edhe pas ftesës së dytë, Vetëvendosja pati të njëjtën përgjigje për Thaçin. Gjatë mesditës, zyrtarë të Vetëvendosjes patën deklaruar se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës. Por në mbrëmje, Kurti u kthye në Prishtinë në një organizim të Vetëvendosjes për festat e fundvitit.
“I kam marrë sot të dyja ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj, nuk mund të takohemi në këtë mënyrë, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti.
Por të dielën Kurti duket se nuk do të mund ti shmanget më vendimit final.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.