Ana e errët

I tregon Gjykatës së Kavajës fotografi udhëtimi. I akuzuari: E këshillova, nuk e përndoqa

foto per gjykaten e kavajes

Nga Gazeta Si - Një 47-vjeçar i divorcuar, nën akuzë nga fqinja e tij se po e bezdiste me këshilla që të ndryshonte mënyrën e jetesës saqë kaloi në përndjekje, u mundua ta bindë gjykatën e këtij qyteti se gruaja e kishte keqkuptuar. Për të treguar miqësinë me fqinjen që ka dy fëmijë dhe burri i saj jeton jashtë, shtetasi V. G. i tha gjyqtares se të dy fqinjët kuptoheshin me njëri-tjetrin dhe ishin miq. “Ju tregoj fotografitë e mia me fëmijët dhe të gruas me fëmijët e saj në kalanë e Vilë Bashtovës, ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme”, citoi një burim i Gazetës Si pranë Gjykatës së Kavajës mbi rastin e rrallë ku një fqinj vihet nën akuzë për përndjekje nga një grua. I akuzuari ka rrëfyer madje sipas një burimi që ndoqi procesin në fjalë se fqinja e tij nisi të shoqërohet me një shtetas të papëlqyeshëm. “Më merrte ngahera mendim dhe normalisht nuk u pajtova me këtë shoqërim të tyre, sepse ajo ka fëmijë për të rritur dhe nuk mund të bëjë aventura”, justifikohet i akuzuari. Në fashikull thuhet se ai bashkëngjiti dëshmitarë fqinjët e tjerë, por gjykata vlerëson se fqinji i shkaktoi ankth gruas në fjalë mbasi e kritikonte vazhdimisht deri sa e kanosi. Kur ai nuk pati asnjë shans për të ndryshuar masën sipas burimeve të Gazetës Si, ai kujtoi gjykatën se ka 3 fëmijë për të rritur dhe prodhimet në sera për t’u kujdesur. Gjykata shton se fëmijët e takonin babain vetëm gjatë fundjavave, dhe ditët e tjera jetojnë me të ëmën, kurse për të mbjellat mund të kujdeset familja.  Kavajasi sipas burimeve e ka përndjekur gruan, mbasi ka tejkaluar kufijtë e kujdesit për një person madhor, mbyllën tregimin e historisë burimet gjyqësore në Kavajë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë