Nga Gazeta ‘Si’- I shumëkërkuari nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, Ergys Agasi, është arrestuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Durrës.
Forcat Operacionale i kanë vënë prangat në zonën e Plepave, teksa ishte duke lëvizur me automjet. Mësohet se Agasi është kapur në makinë me Uljan Shpatarakun, ish-policin e shpallur në kërkim, i cili njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Agasi u bë një prej personazheve qendrore të hetimit të SPAK për dyshimet mbi manipulimin e procedurave të prokurimit publik.

Si u arrestua Agasi
Sipas burimeve, makina e tyre, tip “Audi”, ishte pikasur nga blutë që nga Elbasani, e u ndoq deri në zonën e Plepave, Durrës.
Ndjekja e tyre u bë me makina civile, në mënyrë që të mos krijoheshin dyshime tek Agasi dhe Shpataraku. Për ndalimin e tyre, operacionalia bëri të mundur bllokimin e trafikut, për të shmangur çdo lëvizje të papritur.
Informacioni ka qenë i saktë që Agasi po lëvizte me automjetin që dyshohet se është në pronësi të Shpatarakut. Kështu, u bë i mundur arrestimi i tyre.
Burime pohojnë se Agasi lëvizte mes Durrësit, Elbasanit, por dhe kryeqytetit. Janë kryer disa operacione për arrestimin e tij, të pasuksesshme, por që nuk janë bërë kurrë publike.
Agasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, e cila e akuzon atë, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë, për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderëve të AKSHI-t.
Sipas akuzave të SPAK, grupi dyshohet se ka përdorur edhe forma të dhunës dhe pengmarrjes për të ndikuar në procedurat e prokurimit.
Agasi dhe Beqiraj fillimisht i shpëtuan arrestimit gjatë operacionit të SPAK, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t u vendos në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, pak kohë më parë, edhe Ermal Beqiraj u arrestua në Francë. Ai u ndalua teksa po drejtonte një avion privat mbi një zonë të ndaluar të një centrali bërthamor.
Beqiraj apeloi vendimin për arrestimin, por autoritetet franceze rrëzuan kërkesën e tij, duke e lënë në qeli në pritje të vendimit për ekstradimin drejt Shqipërisë, të kërkuar nga SPAK.
Në kuadër të së njëjtës dosje, Agasi dhe Beqiraj akuzohen gjithashtu se, përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit, kanë detyruar biznesmenin Gerond Meçe të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë.
Sipas SPAK, në këto procedura tenderimi synohej që fituese të shpalleshin kompani të lidhura me personat nën hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje