Drejtësia

‘I rrezikohet jeta në burg’, pse Sajmir Tahiri kërkon pezullimin e dënimit

Gazeta Si - Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kërkon pezullim të vendimit të dënimit, para së gjithash se i rrezikohet jeta në burg.

Një ditë më parë, avokati i tij bëri një rekurs në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar dënimin për shpërdorim detyre të dhënë nga GJKKO.

Avokati i tij shprehet se vuajtja e menjëhershme e dënimit me burg, mund të sjellë pasoja të rënda për të mbrojturin prej tij, si dhe për familjen e tij.

“Kjo për shkak të detyrës që ka mbajtur dhe ai rrezikon dhe mund të shndërrohet në objekt të personazheve të krimit që vuajnë dënimin në IEVP Fier”, - thuhet në kërkesë.

Në rekurs thuhet më tej se edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasojave të mundshme.

Sipas avokatit të Tahirit, është e qartë që vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, është i marrë në shkelje flagrante të ligjit.

Sipas tij, sa i përket procesit të rregullt ligjor dhe ekzekutimit të tij, ai cenon rëndë jo vetëm interesat e të dënuarit Saimir Tahiri, por edhe të drejtësisë.

Për këto arsye, kërkohet ndërprerje e ekzekutimit të vendimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm.

Ishte SPAK dy ditë më parë që iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar cilësimin e veprës penale “trafik droge në kuadër të grupit strukturuar kriminal”.

Apeli i GJKKO-së, e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Shkalla e parë e dënoi Tahirin me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, iu ul dënimi me 1/3, dhe u vendos që të mos bënte burg, por shërbim prove për 3 vite e 4 muaj.

Pikërisht kjo masë lehtësuese u hoq nga Apeli, duke çuar kështu në burg ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë