Ngjarje

I riu u shoqërua në komisariat: Polici më goditi me shpullë, më çau daullen e veshit

Nuk mund të thuhet ende nëse A.B shkoi në polici për të denoncuar një veprim të kundërligjshëm apo për t’i vënë policët në pozicion në vështirë, pasi ata i prangosën të vëllain. Pasi agjentët i kontrolluan shtëpinë dhe i dërguan në qeli të afërmin për vjedhje, A.B akuzon njërin nga policët se e qëlloi me shpullë gjatë veprimeve hetimore dhe ky akt sipas tij i dëmtoi veshin. Por dëmi sipas kallëzuesit ishte aq i rëndë sa i çau daullen e veshit dhe për pasojë ai nuk dëgjonte dot asnjërën nga pyetjet policore që sipas agjentëve ishin procedurale:

"Si e ke marrëdhënien me vëllain? Çfarë të ka sjellë vëllai për të shitur?". Me një ndryshim, ata që e pyetën ishin një grup tjetër policësh dhe jo “civilët që e dhunuan”.

Burimet i thonë gazetës Si se policia shkoi në dyqanin e A.B dhe në grup ishin të përbërë nga tre vetë, dy policë dhe një police.

A.B pohon në kallëzim “kërkuan vëllain, ju thashë të prisnin gjysmë ore se do vinte. Ju dhashë numrin e telefonit. Ata shtuan se e dyshonin si hajdut cigaresh. Më shoqëruan në komisariatin numër pesë, më lanë gjysmë ore, në atë zyrë ishin dy persona, njëri 35 vjeç, tjetri në moshën 50 vjeç”, përmend kallëzimtari.

Kur ka nisur seanca e pyetjeve përmes të cilave synohej zbulimi i vëllait “hajdut”, polici më i ri e ka pyetur i nervozuar: përse qesh?

“Qesh sepse më keni shoqëruar kot, nuk kam shkelur ligjin”, - u përgjigja, por menjëherë polici i ri reagoi dhe më goditi me shuplakë. I vjetri tha të ndalonte. Pas shuplakës ndjeva dhimbje veshi.

Sipas pretendimeve të kallëzuesit pasi ka dhënë qëndrimin e tij në një zyrë tjetër për të vëllain, ai është larguar për në shtëpi.

“Vëllain e arrestuan atë ditë, ndërsa unë nga dhimbjet e veshit u shtrova në spital ku më thanë se më kishin çarë daullen e veshit”, shton denoncuesi në polici dhe kundër policisë.

Më pas...

Mbasi i vëllai i dyshuar për vjedhjen e një dyqani në Laprakë përfundoi i prangosur, A.B kthehet në polici. Një oficer që e pyeti jep versionin  e tij. Oficeri S. S deklaron “po e pyesja, me derë hapur për shkak të masave anticovid dhe ai këmbëngulte që nuk dinte gjë. Ne po hetojmë një ngjarje dhe indiciet tona policore tregojnë këtë gjë. Në një moment kur po e pyesja ky shtetas tha: nuk dëgjoj asgjë, ngrije zërin. Ishte i ulur në karrige dhe i qetë. Për këtë shkak oficerët e pyetën me zë të lartë pas këtij pretendimi.

Por efektivi tregon dyshimet e tij, që sipas burimeve të gazetës Si lidhen me procedurën përpara se A.B të rikthehej në komisariat dhe të ripyetej. “Kur ne shkuam në dyqan ai përgjigjej normal dhe dëgjonte fare mirë, ai komunikoi si zakonisht dhe përgjigjej qartë. Ne nuk konstatuam që ky shtetas nuk dëgjonte mirë” kundërshton oficeri i cili dyshon se A.B aktron dhe po sillet në këtë mënyrë për t’u hakmarrë për të vëllain.

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në varësi të Ministrisë së Brendshme ka nisur menjëherë hetimin duke pyetur të gjithë oficerët që ditën e aksionit dhe të shpullës ishin në detyrë.

Një nga policët këmbëngul se askush nuk vuri dorë mbi kallëzuesin, i cili nëse gënjen apo jo do ta vërtetojë kartela mjekësore, meqenëse i riu pretendon që u shtrua  pak orë në Spitalin Nënë Tereza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë