Ana e errët

I riu rreh të atin dhe kthen përmbys shtëpinë. Policia: Është përdorues droge, ushtroi dhunë për të siguruar para

Gazeta Si - Një 25-vjeçar përfundoi nën akuzë nga policia për dhunën ndaj të atit, ndaj të cilit jo vetëm ngriti dorë, por edhe e kërcënoi se do ta masakronte.

I moshuari, bëjnë me dije burimet e policisë numër një, u ankua pranë uniformave blu, pasi u bind se i riu po përkeqësohej.

Konfliktet midis të dyve u agravuan nga kërkesat e shtetasit K.H., që vazhdimisht kishte kërkesa për para, që më pas i shpenzonte në kafene.

Ai ishte i papunë dhe sipas policisë, së fundmi babai refuzoi t’i jepte të holla, duke i kërkuar që të siguronte të ardhura si ai.

Duke qenë se e ëma ishte në Itali, ku dhe po kurohet, 25-vjeçari mësohet se telefonoi mamanë dhe i kërkoi që të ndërhynte tek fqinjët për t’i dhënë para.

Bëhet me dije se kryefamiljari u informua nga gruaja për telefonatën dhe menjëherë ka nisur debatet me 25-vjeçarin, duke i kërkuar llogari.

Gazetasi.al mëson se në sherr e sipër, i riu e paralajmëroi të atin se do ta digjte me benzinë dhe një frazë e tillë e ka terrorizuar kallëzuesin.

Pas këtij kërcënimi, babai kreu kallëzim, por e toleroi fëmijën e tij, duke kërkuar që mos të prangosej.

Pikërisht, sipas burimeve policore, i riu u procedua në gjendje të lirë, por ai nuk korrigjoi asgjë nga sjelljet e tij të dhunshme.

Policia i tregon Gazetasi.al, se u telefonua për herë të dytë nga një qytetar, për zhurma dhe konflikte në një familje.

Policia shpjegon se kur mbërriti në banesën në fjalë, gjeti çdo gjë të shkatërruar dhe midis kësaj edhe kryefamiljarin e terrorizuar nga dhuna e të birit.

“Nuk është hera e parë që më ndodh diçka e tillë. Djali e hodhi përmbys shtëpinë, shkatërroi orenditë, mua më shtyu, më gjuajti me shpullë”, - deklaron babai para policisë.

Burimet bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje, i riu ia ka hedhur fajin denoncuesit.

“Babai ka probleme këto kohë, po kalon një gjendje mërzitjeje dhe ndaj gjendja në familje është kaq problematike”.

Por policia sqaron për Gazetasi.al se të dhënat e sistemit TIMS konfirmojnë faktin që i riu me inicialet K.H., rezulton problematik në fushën e shpërndarjes së drogës dhe të vjedhjeve.

Policia është e bindur se i riu është përdorues droge dhe për të siguruar para për dozat, ai ushtroi dhunë ndaj familjarit për të siguruar para.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë