Ana e errët

I premtoi djalit martesë për t’i zhvatur një telefon

Shumë thonë se të rinjtë sot kërkojnë gjithçka në moment dhe me çdo kusht. Madje ka raste kur për të poseduar një telefon të mirë, premtojnë edhe martesë. Tamam ky është rasti që është hetuar pas kallëzimit të një gruaje e cila i kishte bërë si dhuratë të birit të një telefon, por ai është mashtruar nga një vajzë e cila pasi e ka zhvatur aparatin, është zhdukur. Evangjelia Lila, e lindur në Volos Greqi - thotë një burim i Gazetës "Si" - është vendosur nën hetim pas gati një viti këqyrjesh dhe veprimesh hetimore që morën shkas nga denoncimi i një gruaje. Gruaja me inicialet R.Gj i tha gjatë vitit të kaluar policisë se i kishte blerë të birit me aftësi të kufizuara si dhuratë për ditëlindje një telefon të mirë. Por një ditë një vajzë në lagje pasi i është prezantuar si Eva, ka hyrë në bisedë më të birin. Si shkak ka gjetur përdorimin e telefonit për të kryer një telefonatë urgjente pasi nuk kishte ofertë tek telefoni i saj, thotë një nga agjentët që e hetoi këtë çështje. “Çdo ditë 21-vjeçarja shkonte në lagje, në vendin ku qëndronte i riu, bënte foto selfie, bisedonin me orë të tëra. Madje ajo i premtoi djalit se do martoheshin bashkë dhe i duhej telefoni i tij sa të mbaronte një punë”, shpjegohet më tej në dosjen që Gazeta "Si" disponon. E pandehura i ka premtuar se do ia kthente përsëri telefonin dhe në mirëbesim “nusja” e ardhshme i ka lënë telefonin e saj të vjetër, me ngjyrë të zezë.

Në dosje thuhet se kallëzuesja e ka marrë në telefon vajzën dhe i ka kërkuar që të kthente telefonin të birit. Në një moment vajza ka reguar dhe i ka kthyer përgjigjen “do ta kthej telefonin”. Gjatë kësaj kohe vajza e ka takuar të riun dhe i ka thënë "mos i thuaj njeriu që ta kam marrë unë telefonin, por që ma ke dhënë vetë". Sipas qëndrimit të kallëzueses në polici, vajza është një hajdute dhe e ka mashtruar të birin, pasi “ka dëgjuar në lagje se e reja ka bërë edhe burg për mashtrime të tilla”. “Komshiet më kanë thënë se kam shpëtuar mirë pa më kopjuar çelësin e shtëpisë”, kujton në deklaratë gruaja, e cila vuri në lëvizje autoritetet. Zbulimi i gjurmëve të hajdutes u krye pas ekspertimit në numrin që posedonte djali 0xxxx44284, në të cilin vajza ka dërguar një fotografi para mashtrimit. Policia thotë se “portreti i personit femër në foton e printuar të nxjerrë nga celulari në fjalë në pronësi të shtetasit A.Gj, i përket shtetases Evangjelia Lila, krahasuar me katër fotografitë model në dispozicion të ekspertimit”. Në këto rrethana shton prokurorja ka vend për rregistrimin e emrit të Lilës për veprën e mashtrimit

Por në aktet e hetimit prokuroria konstaton se pas ngjarjes vajza është larguar nga Shqipëria. “Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shikohet se shtetasja Evangjelia Lila, shkurt Eva, ka dalë nga kufiri në datën 2 tetor 2019, ora 18.21 nga PKK Morinë dhe nga kjo kohë nuk ka hyrë më” thekson më tej prokuroria e cila ka vendosur ta marrë të pandehur të renë. Si prova radhiten edhe komunikimet e mamasë së A.Gj me 21-vjeçaren gjatë kohës që ajo posedonte telefonin e zhvatur, procesverbal i sekuestrimit të telefonit, si edhe procesverbal i deklarimeve të djalit të mashtruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë