Ngjarje

I premtoi biznesin e frutave ekzotike, por “konsulli i Vatikanit” e mashtroi dhe e la në Madagaskar

Një përkthyese pretendon në polici se është mashtruar nga një shtetas shqiptar dhe një italian, ky i fundit i prezantuar tek e reja si person me influencë dhe si Konsull Nderi i Vatikanit. Të dy të dyshuarit sipas denoncimit të depozituar pranë seksionit kundër krimit ekonomiko-financiar i premtuan vajzës se do ta fusnin në biznesin e frutave ekzotike, por kur e reja mori borxh me kontratë noteriale ata e lanë atë në Madagaskar.

Historia e denjë për një telenovelë apo film fiction tregohet eksluzivisht për gazetën Si nga burime zyrtare të policisë që kanë marrë në pyetje të gjithë emrat e përmendur në deponim, me përjashtim të “konsullit të nderit”, i cili gjendet në Itali. Denoncimi u regjistrua në Tiranë dhe ngjarja dyshohet të ketë nisur dy vite më parë, së paku sipas asaj që pretendon përkthyesja me inicialet S. T. “U njoha me G. K dhe G. F në një agjenci private kundër krimit. G.K më tha që G.F është personalitet dhe se ka njohje të larta politike dhe se është konsull i Vatikanit”.

Më tej, pas këtij prezantimi shqiptari i dërgon vajzës ftesë në Facebook dhe tri ditë më vonë e kontakton në Facebook edhe italiani. “Pas disa ditëve u takova me të dy. në një bar dhe folëm për punën, kushtet dhe çfarë më ofronin, italiani më tha se e meritoja se isha vajzë e talentuar dhe më ofroi të isha asistente e tij”.

Vajza tregon se çfarë i tha italiani. “Kam njohje me biznesmenë në Europë dhe në Afrikë. Më tregoi se projektet e mia artistike do i shiste me të drejtë autori. Por m’u ankua se për momentin nuk kishte para”.

Pikërisht e shtyrë nga premtimet kallëzuesja pretendon se në datën 29 janar 2019 nënshkroi një kontratë ku e bën konsulli i Vatikanit si ortak në shoqëri të ndryshme. “Për momentin aty, para shtetasit M. Sh bëra një deklaratë noteriale ku ai do hiqte shpenzimet, udhëtime dhe akomodime në emrin tim dhe të G.F dhe të kompanisë që unë e hapa. Mora përsipër përgjegjësinë se do t’i likuidoja detyrimet deri në fund të vitit”.

Por borxhi që u mor prej rreth 35 mijë euro nuk u shpenzua asnjëherë në emër të kompanisë, por sipas kallëzueses dhe sipas asaj që thonë burimet e gazetës Si, paratë u shpenzuan për italianin.

“G.F viktimizohej përherë për shkak të moshës së madhe, thoshte se ishte sëmurë. Në muajin mars shkova në Itali dhe i hoqa disa shpenzime. Më premtoi se do m’i kthente paratë".

Sipas burimeve në maj 2019, vajza udhëtoi drejt Madagaskarit së bashku me G.F që e joshi duke i thënë “Kam lidhje të fuqishme në atë vend. Do shkojmë të takojmë politikanë”. E reja këmbëngul se nga kjo bisedë miku italian i kishte treguar se punët do bëheshin shtet më shtet dhe se ai kishte lidhje me njerëz që blejnë miniera, janë të fuqishëm në fushën e energjetikës.

“Më tha vetëm bli biletën, se ti je e vogël dhe nuk ke eksperiencë”.

Kur përkthyesja mbërriti në Madagaskar, italiani i tha se të nesërmen do takonin presidentin e Senatit dhe se ai quhej Amido.

Por kur italiani i ka kërkuar që ta bënte Presidentin e Senatit ortak në kompaninë e saj, dhe t’i jepte mbi 50 për qind të kompanisë, ajo ka dyshuar duke i thënë “nuk e njoh fare”.

Në bisedat e mëpasshme vajza kujton se ndryshoi kurs dhe filloi të dyshonte se mund të ishte e mashtruar, derisa u shkëput prej tij dhe u largua me një tjetër person. “I thashë këtu nuk më solle ti, por lekët e mia dhe lekët që kam harxhuar për ty. I grisa biletën dhe i kërkova të më lërë rehat”.

Policia ka pyetur edhe shtetasin shqiptar që i kishte prezantuar si dhe borxhdhënësin, ndërkohë që nuk jepen detaje se çfarë ka rrëfyer secili prej tyre. Megjithatë jozyrtarisht burimet e gazetës Si shtojnë se G. K kujton që edhe ai e njihte italianin si konsull të Vatikanit dhe si një njeri të respektuar. “I tregova vajzës që mos të hynte në marrëdhënie me italianin, pasi kishte distancë të madhe në moshë, por ajo nuk më dëgjoi. Një ditë më mori italiani nga Madagaskari dhe më foli i shqetësuar për sjelljet e saj. Nuk di më tej çka ndodhur prej tyre”. Kurse biznesmeni që firmosi dhënien e borxhit tregon se shumën e kishte nga të ardhurat e biznesit dhe se ende nuk i është shlyer detyrimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë