Ana e errët

I përndoqi familjarisht por ish e dashura u fejua me të për ta shpëtuar nga burgu

Nga Gazeta "SI" - X.H nuk e priti aspak mirë mbylljen e lidhjes me partneren, të cilës në krye të pesë viteve e pati të pamundur t’i thoshte mirupafshim. Sipas dosjes që ju tregua Gazetasi.al, e reja ja komunikoi vendimin 32 vjeçarit nga Tirana. Por bëhet me dije se ai nisi një seri veprimesh duke ju vënë këmba-këmbës.

“Nuk më linte të qetë ndaj për herë të parë u paraqita në komisariatin numër 5 në muajin shkurt 2020”,- rrëfen e reja .

Ajo shton se fill mbas denoncimit, policia e komisariatit numër 5 reagoi duke i vendosur prangat. “Më kërkoi familja e X.  që të tërhiqja kallëzimin dhe nga që e dashuroja u paraqita në gjykatë e tregova se e kisha kaluar këtë problem dhe se doja të jetoja me të dashurin”.

Në dosjen që burimet policore ja vendosën në dispozicion gazetës “Si”, pasi gjykata konsideroi se marrëdhëniet ishin stabilizuar dhe mbasi u bind që çifti nuk ishte në krizë, vendosi lirimin e menjëhershëm të tij.

“Me pëlqimin e të dyve dhe familjeve tona u bë fejesa dhe ne nisëm bashkëjetesën, e cila zgjati pothuajse gjatë karantinës. Në bashkëjetesë nisën sërish konfliktet dhe mosëmarrëveshjet”, -thotë e reja.

Pa një gjuhë të përbashkët dhe kur u bind se i dashuri i saj nuk ndryshonte, vajza vendosi ndarjen për herë të dytë. Ajo i ktheu mbrapsht unazën e  fejesës dhe kësaj radhe e reja nuk u kthye në banesën e prindërve. Ajo thotë se u zhvendos në një lagje tjetër të kryeqytetit, për mos të pasur asnjë ndikim prej tyre.

“Nisi prapë të më ndiqte nga pas. U paraqita në komisariat duke deklaruar se çfarë po ndodhte me ne dhe që ish i fejuari po më shqetësonte. Policia e telefonoi dhe për një periudhë gati një javore më la të qetë. Periudha gjatë të cilës nuk më shqetësonte, zgjati pak. “Kur po dilja nga banesa ku jetoja me qira e vërejta që po qëndronte në distancë dhe po më priste”.

Sipas denoncimit në polici e reja ka nxituar që të hipi në makinë dhe të udhëtojë me shpejtësi drejt banesës së vajzërisë.

“Në momentin që isha tek semafori i Unazës së Re, ish i fejuari zbriti nga automjeti dhe u afrua tek makina ime. Trokiti në xham  dhe më kërkonte të zbrisja nga mjeti”.

Skena që ndodhi më pas ishte e dhunshme, jo vetëm për të renë, por edhe për dëshmitarët okularë që konstatuan sulmin fizik, siç bëjnë me dije burimet policore të Gazetasi.al.

“Hapi derën e automjetit dhe më kapi me forcë nga flokët dhe krahët dhe kërkonte të më fuste në mjetin e tij. Me forcë më futi në makinë por unë kërkova që të dilja dhe ja dola”,- shton e reja. Ajo tregon se mundi t’i shpëtojë ish të dashurit dhe në këtë rast ndryshoi axhendën, nga vizita që duhet të kryente tek prindërit, ajo u drejtua për në komisariatin më të afërt që bëhet me dije se ishte komisariati numër 6.

Policia pasi administroi versionin e denoncueses, por edhe një dëshmi të saj para gjykatës ku lehtësonte pozicionin e ish të dashurit duke e deklaruar si burrin e jetës, thotë për gazetën “SI” se për t’u bindur që nuk ishte sërish një grindje e momentit mes çiftit, urdhëroi këqyrjen e telefonatave të tyre.

“Vetëm në telefonin e vajzës së re ka thirrje të pafundme telefonatash, dhe po ashtu edhe në telefonin e shoqes së saj, gjë që vërteton alibinë e 23 vjeçares, e cila thotë në polici se i dashuri kishte gjetur numrin e shoqes tjetër që i kërkonte t’ja nxirrte ish të fejuarën në takim, tregon për Gazetasi.al një burim policor. Burimet shpjegojnë se gjatë marrjes në pyetje, i riu ka këmbëngulur se nuk bëhej fjalë për përndjekje, por për mall.

“Ju nuk e kuptoni, por mbas ndarjes më ka marrë malli dhe doja t’i dëgjoja zërin. Ne u ndamë për shkak të xhelozisë të të dy palëve. Herë më telefonon ajo dhe herë unë. Ajo më telefon me numër të fshehtë sa herë i jepet mundësia, madje kur më denoncoi herën e parë dhe u arrestova, e fala dhe u mundova ta kapërceja”, -shprehet i akuzuari përpara oficerëve të policisë.

Megjithatë, burimet sqarojnë se kërkuan dosjen penale në ngarkim të 23 vjeçares për rastin e parë, kur ajo u ankua për përndjekje dhe më pas tha se po fejohej dhe se nuk donte policë në jetën e saj.

“Për këtë çështje, e reja që shkaktoi arrestimin e X.H, u referua për kallëzim të rremë, shtojnë jo zyrtarisht burimet policore.

Por policia thotë se për t’u bindur që kësaj radhe ajo nuk po gënjen, kontrolluan edhe telefonat e prindërve të saj.

“Në telefonat e të atit dhe të ëmës ka telefonata të shumta nga ish i fejuari dhe bisedat mes palëve konsistojnë në përpjekjet e tij dhe kërcënimet se familja duhet të ndikonte në stabilizimin e marrëdhënies”, -përfundon policia duke thënë, për gazetën “Si” se me këto prova u bind që i riu nga Tirana, i kishte krijuar ankth me përndjekje, jo vetëm ish të dashurës, por edhe të afërmeve të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë