Gazeta Si – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, vendosi që të përjashtojë nga radhët e policisë drejtuesin e skafit Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan.
Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.
Tase u arrestua me urdhër të drejtorit të Prokurorisë në Vlorë, Aurel Zarka.
Gjithashtu, Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.
Njëkohësisht, Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.