Ana e errët

I hedhin shishe uji mbi makinë, studenti i kërkon hetim të hollësishëm policisë

foto e shishes se ujit mbi makine

Nga Gazeta Si - Disa shkojnë në polici edhe për t’u ankuar për flakjen e plehrave nga dritaret, si dhe për lënien e sendeve të papërdorshme rrugëve, duke mos i hedhur në koshin e mbeturinave. Kështu ka vepruar i riu E. P, 20 vjeç, nga Tirana që kërkoi nga policia të zbulojë autorët e ndotjes së makinës së tij. Djali nga Sukthi i Ri kërkoi angazhimin e policisë numër një, bëjnë me dije burimet policore të Gazetës Si, mbasi gjeti mbi xhamin e përparmë një shishe uji plastike. Duke shkuar në komisariatin numër 1 sipas policisë, i riu që është student në kryeqytet këmbënguli që të shkohej t’i kryhej ekspertiza makinës, një mjet golf  5 me ngjyrë të zezë. “Makinën e kisha parkuar dhe nuk e lëviza fare dhe kur dola shikova një shishe uji  tek fshirëset e xhamit të parë dhe ngjitur me të një gjobë të policisë. Vërejta se aty kishte gjurmë këmbësh dhe një si krisje”, konstaton i riu që e ka këqyrur mjetin personal milimetër për milimetër. Ai këmbëngul se nuk ka konflikte me askënd, megjithëse ka një dyshim se mjetin mund t’ia kishin ndotur ngaqë e kishte parkuar në afërsi të garazhit.

“Makinën e parkova te ‘Mihal Grameno’, sepse qëndrova te një mikja ime dhe konsideroj se kjo ndotje dhe krisja e xhamit është një dëm që kushton 200 mijë lekë të vjetra”, shton më tej në polici studenti thanë burimet e komisariatit numër 1. Policia i është bindur të riut, duke administruar shishen e ujit për gjurmë papilare, por edhe gjobën e policisë bashkiake. “Nga këqyrja e mjetit të kryer nga një oficer vihet re se xhami i parë në anën e majtë  është i dëmtuar nga jashtë”, thonë oficerët e policisë. Ndërkohë që evidentojnë “te makina u administrua si provë një shishe uji me shpresën se do të zbulohen gjurmë papilare prej nga ku do të zbulohet nëse qytetari e ka flakur nga dritarja, nëse polici ka vendosur gjobën dhe ka harruar shishen e ujit, apo nëse dikush tjetër e ka dëmtuar xhamin e përparmë nga inati i bllokimit të hyrjes së garazhit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë