Gazeta Si – Një 40-vjeçar shqiptar, Soni Pepa, i shpallur në kërkim nga autoritetet gjyqësore në Shqipëri me kod të kuq, për përfshirje të dyshuar në trafik ndërkombëtar droge, është arrestuar në Republikën Domenikane.
Sipas mediave vendase, Pepa u ndalua më 3 shtator në Santo Domingo, teksa shihet i prangosur në duar dhe këmbë. Ai shoqërohet nga agjentët, ndërsa mbante në kokë një helmetë dhe në trup një jelek antiplumb.
Sipas burimeve paraprake, Pepa njihet ndryshe si anëtar i grupit kriminal që trafikonte drogë dhe që drejtohej nga Ervis Çela dhe Franc Çopja nga Amerika Latine në Europë.

Ai ishte në kërkim nga SPAK lidhur me një ngarkesë prej 11 tonë kokainë, një pjesë e të cilës u kap në Roterdam, Holandë, në nëntor 2020.
Sipas të dhënave paraprake, Pepa është ndaluar një ditë më parë në Santo Domingo dhe kishte me vete dokumente shqiptare dhe italiane. Po ashtu burimet shtojnë se atij iu gjeten edhe 5 aparate të enkriptuara dhe para cash.
Sipas raporteve ndërkombëtare, ai bënte pjesë në një rrjet kriminal transnacional që operonte mes Europës dhe Amerikës së Jugut, duke përdorur portin e Villetas në Paraguaj si pikë nisjeje për ngarkesat me destinacion Belgjikën.
SPAK akuzon organizatën për dy episode të trafikut të drgoës. Në shtator të vitit 2020, u organizua trafiku i 11.6 tonëve kokainë, e fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”, ngarkesë e cila u nis nga porti i Villeta në Paraguaj dhe mbërriti në Anversë më 04.11.2020. U sekuestruan po ashtu dhe 2 milionë euro, ndërsa u arrestuan dy shqiptarë.

Në periudhën dhjetor 2020-shkurt 2021 u trafikuan 16.4 tonë kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro.
Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


