Rend dhe Ligj

I kërkuar në Shqipëri për vrasje, arrestohet në Greqi anëtari i bandës së Laert Haxhiut

Gazeta Si – Një 51-vjeçar i identifikuar si Ardian Ahmetaj, është arrestuar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Besnik Hidës në Lushnjë në vitin 2019.

Sipas policisë, Ahmetaj, i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore u arrestua në Pire të Greqisë falë informacioneve të siguruara nga strukturat e policisë së shtetit që ka njoftuar autoritetet e vendit fqinj.

Ahmetaj akuzohet se në bashkëpunim me të dënuarin me burg të përjetshëm Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, kanë bashkëpunuar për të ekzekutuar me armë zjarri 40 vjeçarin mëngjesin e 1 tetorit të 2019-ës teksa pinte kafe në një lokal të lagjes “Skënder Libohova”.

Hida ishte daja i Zamir Latifit, të riut që u vra aksidentalisht më 11 tetor 2017 në të ashtuquajturën “masakra e Lushnjës”, teksa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Përgjatë 3 viteve në vijim 40-vjeçari vijonte të kërkonte drejtësi për nipin, por u eliminua edhe vetë. Pas arrestimit, tashmë pritet ekstradimi i Ardian Ahmetajt në Shqipëri, ku i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Më herët në Shqipëria u ekstradua edhe Laert Haxhiu, i akuzuar për disa vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë