Ngjarje

I hoqi kredencialet gazetarit, CNN padit Shtëpinë e Bardhë

Gjganti televiziv amerikan, CNN ka paditur administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për shkak të heqjes së kredencialeve të gazetarit të kësaj kompanie në Shtëpinë e Bardhë, Jim Acosta, duke pretenduar se ka shkelur të drejtën kushtetuese për liri të shtypit.

“Ne i kemi kërkuar gjykatës që përmes një urdhri të menjëhershëm të kthehet gazetari Jim Acosta dhe kemi kërkuar lirim të përhershëm në kuadër të këtij procesi”, ka njoftuar CNN.

Trump ka kritikuar vazhdimisht mediat amerikane, duke i cilësuar disa prej tyre me raste edhe si “armiq të popullit amerikan”, duke shënjestruar CNN-in dhe Acostan me sulme të drejtpërdrejta verbale.

Acosta në anën tjetër ka sfiduar shpesh presidentin amerikan gjatë konferencave për media.

Shtëpia e Bardhë i ka pezulluar Acostas kredencialet pasi ai dhe Trump kanë pasur një përballje të ashpër verbale, gjatë konferencës pas mbajtjes së zgjedhjeve për Kongresin amerikan më 7 nëntor.

Acosta i sfidoi pohimet e Trumpit për një karvan të emigrantëve që është nisur nga Amerika Qendrore drejt SHBA-së. Trump e ka cilësuar këtë karvan emigrantësh si pushtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë