Ngjarje

I gjithë “Zëri i Amerikës” në dorë të një shqiptari

Shqiptari Elez Biberaj është emëruar drejtor në detyrë i të gjithë rrjetit të "Zërit të Amerikës". Vendimi është njoftuar ditën e martë nga Michael Pack, kreu ekzekutiv i Agjencisë së SHBA për Mediat Globale.

Stafi i "Zërit të Amerikës", që ofron shërbimet e tij falas në dhjetra gjuhë në mbarë botën u njoftua për drejtorin e ri përmes një e-maili.

Biberaj ka një karrierë 40-vjeçare në gazetari. Më parë mbante postin e drejtorit të "Zërit të Amerikës" në shqip dhe më pas u emërua në krye të Divizionit të Euroazisë, duke qenë përgjegjës për transmetimet dhe programet e "VOA" për audiencat në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe në Ballkan, përfshirë këtu Zërin e Amerikës në shqip.

Fill pas emërimit Biberaj iu drejtua stafit me një e-mail, ku vë theksin se si iu farkëtua karriera nga përvoja personale si refugjat në SHBA dhe karriera thuajse 40-vjeçare si gazetar.

"Misioni ynë ka sot rëndësi më shumë se kurrë dhe VOA është e vendosur të tregojë historinë prej lideri global të SHBA, të ofrojë perspektivën amerikane dhe të shërbejë si model e medias së lirë", shkruan Biberaj në mesazhin e tij.

Biberaj mban titullin e doktorit ne shkencat politike. Detyrën si drejtor i VOA-s e merr në një moment jo fort të rehatshëm, kur agjencitë dhe rrjetet mediatike të financuara nga qeveria amerikane përballen me akuza e kritika mbi pavarësinë e tyre reale në raportime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë