Analize

I gjithë Ballkani shtrëngon masat anti-Covid, Shqipëria thyen trendin

Qeveritë në Ballkan duket se ishin të vendosura të mos i rikthenin izolimin edhe pse numri i rasteve dhe vdekjeve nga Covid-19 është disa herë më i lartë se në pranverë. Në ndryshim nga fillimi i krizës shëndetësore në mars, kur shumica e vendeve në rajon nxituan të vendosnin kufizime të ashpra, dhe përkundër një rritjes së fataliteteve, politikanët dukeshin deri javën e kaluar më “indiferentë” përballë krizës shëndetësore.

Profesionistët mjekësorë në shumicën e rajonit paralajmëruan se kriza nuk kishte mbaruar dhe ata tani janë pothuajse të rraskapitur në përpjekjen për të parandaluar një katastrofë edhe më të madhe Javën e kaluar, udhëheqësit e vendeve të rajonit u kanë bërë thirrje të përsëritura qytetarëve që të qëndrojnë larg hapësirave të mbushura me njerëz, të mbajnë distancën shoqërore dhe të përpiqen të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur.

Megjithatë, këtë javë ata mund të kenë kuptuar se kjo nuk është e mjaftueshme.

Ndërkohë që spitalet po tejmbushen, disa nga vendet e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë, vendosën të ashpërsojnë kufizimet. Përveç vendit tonë, në të gjitha vendet fqinje, baret dhe kafenetë janë urdhëruar të mbyllen pas orës 18:00 ose të punojnë vetëm me shpërndarje. Pas rritjes së rasteve të reja, autoritetet në vende si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut ose Bullgaria vendosën një orë policore që fillon nga ora 19:00 dhe të ndalojnë mbledhjet e më shumë se 5 personave.

Mali i Zi

Më shumë 550 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Malin e Zi gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve aktive në 11,143.

Për pasojë, trupi Kombëtar i Koordinimit për Sëmundjet Infektive të Malit të Zi shtrëngoi masat shëndetësore të hënën, duke vendosur bllokime në të gjithë vendin nga ora 19:00 deri në 05.00 të mëngjesit, ndërsa dyqanet, kafenetë dhe restorantet janë urdhëruar që të mbyllen në orën 18:00.

Podgoricë

Trupi Kombëtar i Koordinimit tha se këto masa janë mënyra e vetme për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Masa të tjera përfshijnë ndalimin e udhëtimit nga një qytet në tjetrin përgjatë fundjavave. Autoritetet malazeze kanë ndaluar po ashtu mbledhjet e më shumë se katër personave janë të ndaluara. Masat e reja do të jenë në fuqi deri më 8 dhjetor. Boban Mugosa, kreu i Institutit për Shëndetin Publik, të hënën tha se masat e fundit kufizuese pritet të të ulin numrin e rasteve në vendin fqinj. Nëse jo, sipas tij, do ët duhet të merren masa më të ashpra.

Maqedonia e Veriut

Nga 1000 teste COVID-19 të kryera në 24 orët e kaluara në Maqedoninë e Veriut, 387 persona rezultuan pozitivë. 35 pacientë të tjerë humbën betejën me koronavirusin.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli një gjendje krize të premten, 20 Nëntor, një vendim që do të qëndrojë në fuqi për 30 ditë dhe i jep qeverisë kompetenca të mëtejshme për të adresuar përhapjen e sëmundjes.

Bizneset po punojnë me orë të reduktuara dhe janë vendosur kufij në kapacitetin e njërëzve që mund të në objektet e blerjeve. Shumica e shkollave dhe kopshteve publike mbeten të mbyllura. Palestrat dhe klubet sportive po ashtu mbeten të mbyllura.

Bullgaria vendos masa të reja dhe më të rrepta

Ministri bullgar i Shëndetësisë Kostadin Angelov njoftoi gjatë një konferencë të hënën se nga 27 nëntori të gjithë universitetet, shkollat, kopshtet, qendrat tregtare, hapësirat e mbyllura kulturore dhe restorantet do të mbyllen për momentin.

Shkup

Angelov nuk përcaktoi se për sa kohë do të zgjasin këto kufizime.

Deri më tani, qeveria e Bullgarisë i rezistoi vendosjes së një bllokimi, duke ua deleguar vendimet bashkive dhe duke kufizuar vetëm orët e punës së restoranteve dhe vendeve të tjera. Vendi po përballet me një rritje të vazhdueshme të rasteve dhe fataliteteve nga COVID-19, me raporte të shumta se në spitale nuk ka më shtretër bosh.

Serbia

Qeveria Serbe njoftoi të shtunën se baret, restorantet, kafenetë dhe qendrat tregtare do të lejohen të hapen nga ora 09.00 e mëngjesit dhe të mbyllen në orën 18:00 të pasdites për 10 ditët e ardhshme. Gjithashtu, më shumë se pesë persona janë të ndaluar të mblidhen në zona të hapura dhe të mbyllura, ndërsa transporti publik do të funksiononte gjithashtu me gjysmë kapaciteti.

Beograd

Serbia ka regjistruar gjithsej 110,351 raste që nga fillimi i pandemisë.

Kosovë

Kosova ka regjistruar 24 orët e fundit 645 raste pozitive me koronavirus dhe 353 pacientë të rikuperuar në Kosovë. Pjesa më e madhe e qyteteve dhe komunave të Kosovës ndodhen nën masa më të rrepta kufizuese. Duke e ndarë vendin në zona të kuqe, të verdhë dhe jeshile, qeveria ka futur pjesën më të madhe të vendit në izolim total pas orës 19:00 të mbrëmjes.

Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.

Në komunat që gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, si dhe ndalohen hyrjet daljet deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Qeveria e Kosovës thotë se ka rritur kapacitetet shëndetësore për përballjen me pandeminë. Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, që kanë prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zona janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj.

Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, por pas orës do të 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”. Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në orën 18:00.

Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamushë, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.

Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00. Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 05.00 e mëngjesit deri në orën 20.00. Veprimtaria e hotelerisë dhe restoranteve ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit "merre me vete” ose dërgesave.

Por çfarë masash ka vendosur Shqipëria?

Në vendin tonë përvec mbajtës së detyrueshme të maskave, qeveria ka vendosur një orë policore që fillon në orën 22:00 të mbrëmjes dhe përfundon në orën 5:00 të mëngjesit. Baret dhe restorantet ndryshe nga vendet e tjera të rajonit mbylli dyert në momentin që fillon ora policore. Në vendin tonë vazhdon po ashtu mësimi online në universitete ndërkohë që cerdhët, koptshet, shkollat e mesme dhe ato fillore janë të hapura.

Shifrat e larta të infektimeve kanë bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të shpallë disa kufizime të reja, për të shmangur sa më shumë grumbullimet e qytetarëve. Në 17 nëntor, drejtuesja e ISHP Albana Fico gjatë një komunikimi me mediat njoftoi ndalimin e grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura”.

Por nga një vëzhgim në terren, rezulton se kjo masë nuk gjen vend as tek transportit urban, ku grumbullimet e njerëzve, janë të pashmangshme dhe as në kafene, ku qytetarët vazhdojnë të mblidhen në grupe të mëdha, pa ruajtuar distancën sociale, pasi pothuasje asnjë kafene apo bar nuk ka ulur numrin e tavolinave për të siguruar distancë sociale

“Siç kemi bërë më dije në raportimin ditor situate paraqitet në një nivel riskut të shtuar për arsye të rritjeve të rasteve pozitive ditore shprehur më qartë kjo dhe me rritjen e incidencës 14 ditore. Incidenca 14 ditore rezulton e rritur me 300 persona për 100 mijë banorë, mesatarja e rasteve pozitive është 704 për javën që lamë pas ,raporti i vdekjeve me rastet pozitive është 2% gjatë kësaj jave. Përsa i përket infeksionizitetit sipas gjinive kemi femra të prekura në 52% dhe meshkuj 48%. Moshat më të prekura janë 65-74, ndjekur nga pas me grup-moshën 55-64.Në grupmoshën e fëmijëve 0-4 vjec nuk kemi ndryshime për sa i përket incidencës dhe për moshat 5-14 vjec është e njëjta situatë”, shprehej disa ditë më parë Albana Fico, drejtuesja e ISHP në një komunikim për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë