Lojëra me Dore

I frikshëm në pamje, por është gjiganti që i bën të gjithë të qeshin

Boban Marjanoviç të fut frikën sa e sheh. Është një gjigant, 224 centimetra i gjatë dhe me një shprehje fytyre që të krijon një gjendje paniku, ndaj dhe Kenu Rivs e kërkoi për rolin e të keqit në filmin e tretë të sagës së Xhon Uik. Por Boban, basketbollisti 31-vjeçar i Dallasit është pa dyshim lojtari më argëtues i “Disney World”. Një gjigant i mirë, i buzëqeshur që kërkon gjithmonë anën më zbavitëse të jetës. Mjafton të shohësh profilet e tij në rrjetet sociale për të qeshur pak me të.

“Më pëlqen të shoh gjithmonë anën argëtuese të jetës, - thotë Marjanoviç në një lidhje virtuale nga “Disney World”. – Jam ai që bëj gjithmonë batuta për të larguar tensionin, zbavitem vetë dhe zbavit të tjerët. Kam qenë kështu gjithmonë”. Për ta parë Bobanin në fytyrë, kamera duhet sistemuar mirë, sepse është shumë i gjatë. Basketbollisti ndihet mirë me ambientin e ri. Tani është larg Tobias Herris të Filadelfias: kur ishin shokë skuadre te Klipersat, dyshja Bobi&Tobi ishte aq zbavitëse sa videot e tyre ishin më të parat në rrjetet sociale.

https://www.instagram.com/p/CCNDzlSJsdL/?utm_source=ig_web_copy_link
Një video e Marjanoviç në Instagram. Gazeta "Si", 14 korrik 2020

“Dua të shijoj çdo moment deri sa të jem këtu, - tregon Marjanoviç, i cili u bë pjesë e NBA-së me fanellën e Spërsave në vitin 2014. – Kam takuar miq të vjetër, shokë dhe trajnerë që tani janë në skuadra të tjera. Nuk planifikoj asgjë, mendoj vetëm të shijoj momentin dhe po kënaqem shumë. Krevati këtu është fantastik dhe po fle më mirë se në shtëpinë time. Seriozisht, kam fjetur 10 orë, diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë”.

Në ditën e parë të pushimit të dhënë nga trajneri, gjiganti Marjanoviç shkoi për të peshkuar, mënyra më e mirë për të kaluar kohën nga lojtarët në “Disney World”. Ishte bashkë me Tim Harduej dhe Luka Donçiç, shokun e ri të aventurave të tij me ritmin e muzikës ballkanike. Kanë një respekt reciprok për njëri-tjetrin dhe ia lejojnë vetes të bëjnë më shumë shaka mes tyre. Nëse Luka e ngacmon, gjiganti i mirë e fton në një lojë tek e tek në përket (Donçiç është 23 cm më i shkurtër se Marjanoviç).

Marjanoviç dhe Donçiç. Gazeta Si, 14 korrik 2020

Ndihet shumë mirë në Orlando, por Marjanoviç nuk e ka harruar arsyen pse ndodhet në “Disney World”. “Të gjithë mendojnë se jemi këtu për t’u tallur, për të luajtur me Minnie-n, - thotë Boban, duke ia dalë të qëndrojë 5 sekonda serioz. – Jemi këtu për të punuar, për të luajtur basketboll. Nuk më duket situatë reale, pasi është ndryshe nga ajo që jemi mësuar, por basketbolli në gjithë këtë histori është po ai, nuk do të ndryshojë kurrë”.

Në pjesën e parë të sezonit 2019-20 Marjanoviç ka luajtur vetëm 9.1 minuta për ndeshje, por kontributi i tij për Dallas ka qenë thelbësor, me përvojën e tij në parket dhe me aftësitë e tij për t’i bërë të gjithë të qeshin. Gjiganti i mirë është gati: në fund të fundit ka shkuar në “Disney World” për të luajtur basketboll në vend që të dëfrehej si i çmendur dhe të argëtonte të tjerët.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta "Si"

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë