Politike

Ish-zyrtari i FBI del sot para gjykatës në SHBA, i dyshuar për ryshfet e lidhjet me Shqipërinë

Gazeta Si - Ish-zyrtari i FBI-së nën hetim, Charles McGonigal do të dalë këtë të mërkurë përpara një gjykate në Uashington në orën 13:30 me orën amerikane (19:30 në Shqipëri), për t’u njohur me akuzat për ryshfet dhe pastrim parash.

Ai pritet të japë versionin e tij në lidhje me akuzat nëse ka marrë ryshfet nga një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete në Shqipëri.

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, i arrestuar të shtunën nga autoritetet amerikane dhe i lënë i lirë pas pagesës me kusht të hënën, akuzohet edhe për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, pasi dyshohet se ka favorizuar edhe oligarkun rus pranë Putinit, Oleg Deripaska.

Një gjykatë në Nju Jork, vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës për akuzat në lidhje me favorizimin e Deripaskas, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

McGonigal akuzohet se ka marrë si ryshfet 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri (përfshirë kryeministrin Rama), Kosovë dhe Bosnjë, por pa i raportuar ato sipas ligjeve amerikane.

Sipas aktpadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish-zyrtarit shqiptar të Shërbimeve Sekrete.

Nga hetimet ka dalë se ish-zyrtari shqiptar, në akt padi identifikohet si Personi A, i cili rezulton se ka paguar edhe për udhëtimet në Shqipëri të McGonigal.

Sipas mediave amerikane, në listën e atyre, që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, i cili dekada të shkuara ka punuar për Shërbimet Inteligjente të Shqipërisë.

Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, i cili “ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie.

Personi B, shërbente si një këshilltar jozyrtar i kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qenë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.

Në dokumentin e jurisë së madhe flitet për një tjetër person që duhej marrë në pyetje. Ai është Dorian Duçka, ish zv/ministër për Energjetikën dhe më pas konsulent i pavarur.

Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar [Edi Rama] dhe me Personin B [Dorian Duçka].

Sipas VOA-s, kryeministri Edi Rama e ka takuar 4 herë brenda një periudhe 6 mujore Charles McGonigal, nga shtatori 2017 deri në mars 2018.

Vetë Rama, në një qëndrim zyrtar një ditë më parë, mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se hetimet ndaj McGonigal nuk kanë lidhje me të.

Akt-akuza e zbardhur në Uashington, deklaronte se McGonigal, ndërsa punonte për zyrën dhe pasi doli në pension, fshehu nga FBI një marrëdhënie me një ish-oficer të inteligjencës shqiptare, nga i cili mori 225,000 dollarë para cash.

Ai person u bë një burim i FBI-së në një hetim penal që përfshinte lobim politik të huaj, që McGonigal mbikëqyrte, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë.

Po ashtu, ai akuzohet se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë, duke punuar për oligarkun rus, Oleg Deripaska, proces për të cilin do të hetohet në gjendje të lirë.

Akuzat janë jashtëzakonisht të rënda dhe të rralla në SHBA kundër një zyrtari të FBI-së dhe ato tregojnë se shtrirja e oligarkëve rusë mund të shtrihet në zemrën e zbatimit të ligjit të Amerikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë