Drejtësia

I dënuar përjetë për vrasjen e komisarit Lamaj, Strasburgu prish vendimin për Arben Frrokun: Të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese

Gazeta Si – Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar vendimin e e dënimit me burg përjetë të Arben Frrokut, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2013.

Frroku u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë Shqiptare, e cila miratoi dënimin e ish-Apelit për Krime ndërsa Shkalla e Parë e kishte shpallur më herët të pafajshëm.

Në vendimin e tij, Strasburgu vlerëson se në procesin gjyqësor ndaj Frrokut, evidentohen shkelje të të drejtave të tij dhe për këtë arsye duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Frroku iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, pasi ankimi i tij iu rrëzua edhe në Gjykatën e Lartë më 8 qershor 2017, si edhe në Gjykatën Kushtetuese më 24 prill 2018, duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë. 

Pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbrojtjes së të dënuarit i lind e drejta për t’iu drejtuar Kushtetueses me kërkesën për rigjykim të çështjes.

Po në mënyrë unanime, Strasburgu ka rrëzuar kërkesën e Frrokut për dëmshpërblim 50 mijë euro dhe kompensim shpenzimesh 10 mijë euro, por ka vendosur që çështja të rihapet në Gjykatën Kushtetuese, për mos respektim të të drejtave të njeriut.

Vendimi i Strasburgut, nuk përcakton fajësinë apo pafajësinë e Arben Frrokut për vrasjen e kryekomisarit, por detyron gjyqësorin shqiptar, të rigjykojnë çështjen për shkak të pretendimeve të mbrojtjes për shkelje.

Dy vitë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, Gjykata e Shkallës së Parë e ish-Krimeve të Rënda, e shpalli të pafajshëm Arben Frrokun.

Në qershor të 2015, vetëm pak muaj pas këtij vendimi, Prokuroria këmbënguli në fajësinë e Frrokut, duke apeluar vendimin e pafajësisë.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm Frrokun.

Vetëm dy ditë para këtij vendimi, Arben Frroku u arratis nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi, duke i shpëtuar arrestimit nga policia.

Më 6 mars 2016, ai u arrestua në Holandë, ku qëndronte i fshehur me një pasaportë greke të falsifikuar, me identitetin e Renato Tsepa.

Fillimisht u ndalua për falsifikim dokumentesh, por pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacioneve me Shqipërinë, rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.

Frroku kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik.

Në janar të vitit 2020, mediat holandeze do të raportonin se Frrokut iu ul dënimi në 18 vite, pasi gjykata e vendit europian i njohu atij edhe ditët e burgut që ka kryer në Shqipëri dhe Greqi. Pas refuzimit të ekstradimit, autoritetet shqiptare kërkuan që dënimi të zbatohet në Holandë.

Dritan Lamaj, ish-shefi i komisariatit nr 6 në Tiranë, u ekzekua në vitin 2013 në zonën e “Vasil Shantos” , ku dy persona i kanë bërë pritë.

Ai po shkonte me automjetin e tij drejt banesës dhe në mometin që ka zbritur nga makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi. 

I akuzuar për vrasjen e Lamajt, Arben Frroku u arrestua më 25 shkurt 2013 në Greqi, së bashku me shtetasin Jak Jaku.

Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë