Gazeta Si – I shumëkërkuari i drejtësisë, Florenc Çapja, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir në Elbasan, është ekstrazuar pasditen e sotme në Tiranë, pasi ishte arrestuar në Dubai.
“Ekstradohet nga Dubai, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore. 44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan. 44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, – njofton policia.
Çapja akuzohet për disa krime për të cilat ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit që liroi nga qelia Florenc Çapjan, të akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-policit Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2006.
Trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes ndaj Florenc Çapjas të dhënë nga gjyqtari Tomor Kullolli më 20 Nëntor 2019.
Pas hetimeve, SPAK që kërkon dënimin e tij me 25 vite burg për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqirit, në Elbasan në vitin 2012.
Përveç vrasjes së dyfishtë, Florenc Çapja është gjithashtu në kërkim edhe pas deklarimeve të Nuredin Dumanit, i cili pretendon se i ka ofruar shumën prej 200 mijë Eurosh për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.
Çapja, 44 vjeç, është i dyshuar gjithashtu për një atentat të ndodhur në 2006-ën ndaj ish-policit Fadil Mema.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.