Ngjarje

I ati i gjuan të ëmës, rrëfimi i fëmijës: Më fal mami, nuk munda të të shpëtoj

Burrat e dhunshëm duket se kanë qenë shqetësimi më i madh i policisë gjatë pandemisë që solli mbylljen e qytetarëve në shtëpi. Madje edhe gjatë lirimit të fashave, ata nuk e ndalin dorën, ndaj partnereve apo edhe ish- partnereve. Siç tregon një burim i policisë për gazetën “Si”, një 46 vjeçar u arrestua për dhunë dhe kanosjen e ish gruas, me të cilën jetonte në të njëjtën shtëpi private por në kate të ndara. Nga rrëfimi në polici i dy fëmijëve të mitur, kuptohet që pas britmave të gruas, i dyshuari me inicialet N.F u kap në flagrancë nga pjesa tjetër e familjes me një karrike në dorë me të cilën po gjuante partneren. Thuajse çdo ditë gazeta “Si” ka publikuar histori dhune të paprecedente të rrëfyera nga sytë e fëmijëve të vegjël, që të pyetur në prani të psikologëve shtjellojnë çfarë ndodhi gjatë pandemisë brenda mureve të shtëpive.

Madje fëmija, kur ka gjetur të ëmën të shtrirë në dysheme që qante, i kërkoi falje asaj që nuk u gjend aty për ta shpëtuar. Fëmija me inicialet E. F përshkruan se si ai më së shumti qëndronte me gjyshërit në katin e parë për të shmangur dhunën. Njësoj ka vepruar edhe gjatë ditës, kur pa të atin të ngjiste shkallët dhe mos t’i përshëndeste. Pas pak kanë dëgjuar zhurma dhe të bërtitura. “I thashë gjyshit hajde shkojmë tek shtëpia ime të shohim ç’po ndodh,- shton fëmija, - dhe më pas u ngjitëm me gjyshin, dajën dhe një kushëri. Kur u ngjita pashë mamin që ishte shtrirë në tokë dhe qante dhe babin i cili mbante një karrige druri në dorë. Në këto momente ndërhyri gjyshi. Unë shkova tek mami për ta qetësuar. I kërkova falje, që nuk gjendesha me të dhe që nuk kisha ardhur më parë sapo kisha dëgjuar zhurmat që ta shpëtoja”, mbyll rrëfimin djali i cili mendohet që ka qenë dëshmitar i mjaft skenave të tilla të ngjashme

Gruaja nga ana tjetër nuk heziton të shtojë se i shoqi ka ngritur dorë jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj fëmijëve. F. F shton se nuk e duron më dhunën fizike dhe psikologjike që bashkëshorti ushtron, aq më tepër që ndihet e frikësuar pas paralajmërimeve të tij se do ta vrasë. Policia shton për gazetën “Si” se  gruaja është paraqitur edhe herë të tjera në komisariat me denoncime ndaj partnerit, por më pas është tërhequr nga paditë dhe një nga rastet kur policia ka mbetur pa një denoncim shënohet në qershor 2019.

“U pendova dhe në atë kohë mendoja që do ndryshonte ndaj dhe shpresoja normalizim të marrëdhënies”. Dita më e vështirë e saj është pikërisht episodi i fundit pas të cilit i shoqi përfundoi në pranga.

F.F rrëfen në proçesverbalin e firmosur prej saj në polici se, si 46 vjeçari ngjiti shkallët dhe në duar mbante dy bidona me raki. Me siguri, ai ishte sërish i dehur, pavarësisht karantinës dhe lokaleve të mbyllura. “Unë e pyeta; ‘çfarë i ke këto’. Ai mu përgjigj; ‘Nuk ka ç’të duhet ty”

Menjëherë i dyshuari e ka shtyrë dhe e ka gjuajtur duke e rrëzuar në dysheme. Pas kësaj, 46 vjeçari ka filluar të prishë derën e ballkonit, derën e shtëpisë, minibarin dhe televizorin duke i flakur përtokë.

Me britmat dhe ulërimat e saj gruaja ka tërhequr vëmendjen e familjes që gjendej në katin e parë të shtëpisë. “ Ai mori karrigen dhe nisi të më gjuajë dhe kur mbërriti familja, e gjeti duke u bërë gati të më qëllonte sërish”, e mbyll dëshminë denoncuesja që insiston hetimin e bashkëshortit të dhunshëm

I dyshuari; “Ata duan të më marrin shtëpinë”

Por version tjetër ka deklaruar në polici i dyshuari.me inicialet N.F pretendoi se me gruan ishte ndarë prej kohësh, por nuk kishte bërë proçes divorci në gjykatë. “Në katin e parë jeton vjehrri me vjehrrën dhe gruaja me fëmijët e mi. Gruaja e ka dorëzuar kallzimin pasi kërkon të më marrë pasurinë. Katin e tretë të shtëpisë e kam ndërtuar duke marrë një kredi, dhe kjo vërtetohet edhe nga faturat e energjisë që janë nën emrin tim.por ata duan të ma marrin edhe atë. Vërtet jam ndarë më gruan, por nuk kam dorëzuar padi në gjykatë pasi shpresoj që marrëdhënia jonë të rregullohet dhe të përmirësohet për hir të fëmijëve”, - tha në polici i dyshuari. Por burri gjendet në pozitë të pafavorshme nga rrëfimi i fëmijëve dhe familjarëve të tjerë. Veçanërisht i gruas që citon edhe ankesën e fëmijëve që i kanë treguar: “Babi na ka thënë që do djeg shtëpinë, se do vras mamin dhe dajën kur të kem ditëlindjen pasi kam pistoletë”. Psikologët e policisë shtojnë për gazetën “Si” se do t’i ripyesin fëmijët në këtë pikë, nga dyshimet se konfliktet mund të përshkallëzohen akoma më tej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë