Rend dhe Ligj

I akuzuari për vrasjen e shokut të tij tenton arratisjen nga Burgu i Fierit! Theu murin, por u kap mbi çati

Gazeta Si – Një tentativë arratisje nga burgu i Fierit ka ndodhur mëngjesin e të mërkurës, 24 shtator, ku Bledar Selmanaj, i akuzuari për vrasjen e shokut të tij, Xhuljan Bullari në 2021-in, ka çarë murin e qelisë me mjete rrethanore. Por u ndalua nga gardianët përpara se sa të kalonte rrethimin e jashtëm.

Sipas një njoftimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Selmanaj, për të cilin prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm, kishte hapur një vrimë në mur dhe kishte arritur të ngjitej deri në tarracë të institucionit të sigurisë pasi kishte kaluar disa peripeci.

Përmes saj doli në sheshin e takimeve, dhe më pas, duke u ngjitur nëpërmjet tubave të shkarkimit, arriti deri në soletën e godinës.

“Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri B.S ka tentuar të arratiset. Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.”, thuhet në njoftimin e Burgjeve.

Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Ky është rasti i dytë që Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset. Në dhjetor 2021, ai tentoi të arratisej nga spitali i burgut të Tiranës duke dëmtuar hekurat e qelisë, por sërish u pikas dhe u ndalua nga gardianët.

Bledar Selmanaj akuzohet për vrasjen e Xhuljano Bullarit në Vlorë më 21 gusht të vitit 2021. Ai u arrestua zonën e ish-Bllokut në Tiranë, katër ditë pas krimit.

Dyshohet se ai dhe viktima ishin shokë me njëri-tjetrin, por konfliktet mes tyre kishin ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës.

Selmanaj nuk e pranon krimin, edhe pse hetimet e deritanishme kanë provuar se ai ka qëlluar tre herë ndaj Bullarit, i cili nuk pranonte t’i jepte borxhin që i kishte për aktivitetet e paligjshme që kishin kryer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë