Drejtësia

I akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, burg për portugezin Ruben Saraiva

Gazeta Si - Gjykata e Lezhës ka lënë në burg portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj vitin e shkuar në Shëngjin.

Saraiva doli këtë të mërkurë para Gjykatës së Lezhës, nën masa të rrepta sigurie, pasi kërkonte ndryshim të masës së sigurisë.

Avokati i tij deklaroi se vendimin do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit, sepse nuk pa prova të mjaftueshme sipas tij.

Në seancën e sotme, avokati i portugezit ka theksuar se e vetmja provë ndaj Ruben Saraivës është dëshmia e një gruaje që sipas tij është marrë nën presion psikologjik.

“Prova e vetme është dëshmia e një gruaje që është marrë nën presion psikologjik, motori i gjetur nuk ka lidhje me portugezin dhe nuk ka asnjë provë konkrete edhe pse ka kaluar thuajse një vit nga ngjarja”, ka thënë ndër të tjera avokati i portugezit Ruben Saraiva.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 prill të vitit të shkuar brenda lokalit në pronësi të Nikulajt, në Lezhë. Ky i fundit ishte i ulur në një nga tavolinat, kur autori futet brenda dhe e qëllon 7 herë në kokë dhe trup. Arrestimi i Saraivës u bë i mundur rreth një muaj më vonë në Marok.

Saraiva u ekstradua në Shqipëri në 14 shkurt të 2023 dhe sipas Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës, plani i ekzekutimit të biznesmenit u financua nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani.

Të dhënat e mbledhura nga grupi i hetimit, treguan se gjatë përgatitjes për të kryer ngjarjen, portugezi u bë pjesë e komunitetit në Shkodër dhe Lezhë.

Në kërkim, si një nga bashkëpunëtorët kryesore të ngjarjes, mbetet ende shtetasi anglez, Harry Simpson, i cili u lagua nga Rinasi me destinacion Anglinë.

Në Britani ndodhen të ndaluar dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit, 4 nga autorët e ngjarjes, 3 britanikët vëzhgues dhe Edmond Haxhia. Sipas policisë, ngjarja ka pasur motiv gjakmarrjen e hershme mes fisit Nikulaj dhe atij Lekstakaj në Lezhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë