Rend dhe Ligj

I akuzuar nga SPAK për grup kriminal, ekstradohet nga Italia ‘Leksi i druve’

Gazeta Si – Aleks Ndreka, i njohur edhe me nofkën “Leksi i druve”, është ekstraduar këtë të enjte nga Italia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, të zhvilluar në korrik të vitit 2023.

Ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, nën akuzën për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Ndreka rezulton gjithashtu të ketë qenë më parë objekt i disa sulmeve me armë zjarri, nga të cilat ka arritur të mbijetojë.

Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se Aleks Ndreka ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka.

Kjo, pasi kishte dyshime se Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka.

“Leksi i Druve” ka qenë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe të atentateve të dështuara në të kalurën.  Ai është sulmuar edhe në vitin 2020 në superstradën Lezhë Laç.

Aty mbeti i plagosur, por arriti të shpëtojë, pasi u largua nga zona dhe shkoi vetë në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën mjekësore. Autorët edhe në atë rast arritën të humbnin gjurmët, pasi dogjën makinën në fshatin Pllanë të Lezhës.

Gjatë marsit të vitit të kaluar drejt tij është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, por për fat të mirë nuk u kap nga asnjë plumb.

Në 19 maj, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 9 prej 14 të arrestuarve si pasojë e megaoperacionit të SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë