Ka ndodhur

Terrorizuan lokalin me kallash dhe të maskuar, autorët kërkonin kushëririn e pronarit. Mes tyre nipi i deputetit të PS

Ramazan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, është shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 13 nëntor të këtij viti në një bilardo në Zejmen të Lezhës.

I riu, së bashku me Roan Brahimin dhe Alesio Dobrozin, kanë hyrë të armatosur në lokal për shkak të një konflikti që ka ndodhur mes një mikut të tyre dhe një kushëriri të pronarit të lokalit. Dyshohet se tre të rinjtë janë larguar nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit drejt Dubait.

Ramazan Rraja është arrestuar në vitin 2020 në Belgjikë në kuadër të operacionit “ATOS”. Së bashku me 6 persona të tjerë, i riu nga Nikla e Fushë Krujës u arrestua pas hetimeve për trafik droge ku u sekuestruan 232 kilogramë kokainë.

Për këtë rast, së bashku, me të u arrestua edhe Fioralb Rraja, kushëri i tij. Por Ramazan Rraja u lirua nga qelia me vendim të gjykatës belge më 27 maj të vitit 2021.

Gjykata në Bruksel vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Emri i 28-vjeçarit del edhe në deklarimet e ish-oficerit të policisë së Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në polici se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, pasi po hetonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit pas denoncimit për dhunë të Xhisiela Malokut.

Po ashtu në vitin 2019, Ramazan Rraja është proceduar penalisht pas një video të publikuar në mediat sociale, ku shfaqej duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”.

E ndërsa nipi i deputetit është një figurë e njohur për drejtësinë dhe publikun, dy emrat e tjerë po ashtu janë me precedent penal.

Roan Brahimi, është arrestuar më parë në 16 maj të vitit 2018 në Lezhë, pasi gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan armë, municione, euro dhe bizhuteri të dyshuara të vjedhura.

Sipas policisë, tre vite më parë i gjetën një armë zjarri pistoletë “Bereta” me një krehër me 15 fishekë,  14.600 euro dhe një sasi bizhuterish. Këto materiale u sekuestruan gjatë kontrollit të mjetit tip “Lancia” që drejtohej nga Brahimi.

Personi i tretë i shpallur në kërkim për ngjarjen në Zejmen të Lezgës, është Alesio Dobrozi. Ai rezulton i dënuar në 2019 nga drejtësia italiane për vjedhje dhe grabitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë