Ngjarje

Humbi jetën pas lindjes, familjarët: Duam drejtësi ose do të hakmerremi vetë

Familjarët e një nëne të re, e cila pak javë më parë humbi jetën në maternitet pas lindjes së fëmijës, kërkojnë drejtësi. Bashkëshorti dhe familjarët e Elisabeta Lamajt, kanë protestuar këtë të hënë para Prokurorisë së Fierit.

Të revoltuar, ata shprehen se kanë kaluar katër javë dhe ende askush nuk ka dhënë asnjë përgjigje mbi rrethanat e vdekjes së të afërmes së tyre.

Bashkëshorti i të ndjerës, ka akuzuar bluzat e bardha se po fshehin ngjarjen teksa thekson se nuk do të mbyllet me aq.

“Të shtunën janë bërë katër javë. Askush nuk na ka dhënë asnjë përgjigje. Kjo gjë nuk do të mbetet në heshtje derisa të dalë fajtori. Mjekët po fshein ngjarjen. Kisha besim tek prokuroria dhe i bëj thirrje të veprojë. Neglizhencë e paparë prej një muaji. Për mua nuk do mbyllet asgjë”.

Ai i bën thirrje autoriteteve gjyqësore të zbardhin të vërtetën, përndryshe do të bëjë vetëgjyqësi.

“O të na e zgjidhi problemin shteti o ndryshe ne do të hakmerremi vetë. Do i dalim zot vetes. Vritet në rrugë një person dhe menjëherë ai ikën nga makina, shoferi futet në burg, ndërkohë doktori i vdes njerëzit me injeksione dhe nuk futet në burg. Të paktën të pezullohet nga puna, gjëja më elementare që mund të bëhet është të pezullohet nga puna, sa të dalë e vërteta”, - shton bashkëshorti i 31-vjeçares së ndjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë