Gazeta Si – Një 50 vjeçar, me iniciale P.Gj., ka humbur jetën në Shëngjin, pasi i ka rënë një dërrasë druri mbi kokë, teksa ka qenë duke punuar në një objekt në ndërtim.
Policia njofton se gjatë punës, u shkëput një dërrasë, e cila e goditi në kokë dhe si pasojë e plagëve të marra, humbi jetën në spital.
Bëhet fjalë për viktimën e dytë brenda 3 ditësh, pasi një punëtor 28-vjeçar humbi jetën po në Shëngjin, teksa ra nga lartësia e një pallati në ndërtim.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, për ngjarjen e sotme janë shoqëruar dy persona, pasi kanë qenë duke punuar me viktimën në objektin në fjalë.
“Rreth orës 13:30, gjatë punës në një objekt në ndërtim, shtetasit P. Gj., 50 vjeç, dyshohet se i ka rënë një dërrasë druri mbi kokë dhe për pasojë ai ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti. Ndërkohë janë shoqëruar në ambientet e Policisë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dy shtetas që ishin duke punuar në objektin ku humbi jetën 50 vjeçari”, – thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Ndërsa burime nga urgjenca e spitalit, thanë se 50-vjeçari u la në derën e spitalit nga një person, i cili më pas u largua.
Ndërkohë policia, e cila mbërriti menjëherë më vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti në pune.
Nga te dhënat praprake bëhet e dije se punëtori ishte i siguruar dhe objekti ishte i pajisur me leje ndërtime, ndërsa po verifikohen kushtet e sigurisë në pune.
Ky është viktima i dytë në harkun kohor të 3 ditëve, pasi një 28-vjeçar humbi jetën teksa ra nga lartësia e një pallati në ndërtim në Shëngjin.
Mëngjesin e së enjtes 28-vjeçari Emiljano Frroku humbi jetën teksa po punonte në katin e nëntë të një pallati në Shëngjin.
Viktima ra nga lartësia, pasi ju shkëput vinçi që po e montonte, ndërsa pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera, doli se 28-vjeçari punonte ne te zeze dhe dy katet e fundit te pallatit po bëheshin pa leje. Për ketë ngjarja policia shpalli në kërkim 3 persona dhe 1 tjetër po ndiqet penalisht në gjendje të lire.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



