Teknologji dhe Inovacion

Huawei merr “kalanë” europiane nga Apple

Shtatorin e vitit të kaluar, kinezët e Huawei dhe Apple deklaronin të dhënat periodike për shitjet e realizuara për gjashtëmujorin e parë të 2017. Ajo që ra në sy ishte tejkalimi i kompanisë kineze ndaj asaj amerikane në shitjet e telefonave inteligjentë në rang global.

Për ekspertët e këtij tregu tejkalimi ishte i pritshëm, por askush nuk e mendonte se do të ndodhte kaq shpejt. Të dhënat u analizuan në detaj. Huawei kishte lënë pas kompaninë amerikane në Azi, përveç tregut japonez, Afrikë dhe Amerikën Latine, ndërkohë që kishte ngushtuar ndjeshëm diferencën e shitjeve në Australia, Europë dhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Bumi i rritjes së Huawei-t iu faturua me të drejtë çmimeve të telefonave të saj, shumë herë më të ulta se ato të kompanisë amerikane. Në treg reflektohej kjo e dhënë. Apple ruante supremacinë e shitjeve në Europë, SHBA dhe Australi, tre zona të zhvilluara ku një pajisje iPhone blihet pa shumë sakrifica.

Por njëra nga tri kështjellat e Apple ra së fundmi. Bëhet fjalë për Europën. Edhe këtu Huawei e ka tejkaluar Apple. Deri në fund të qershorit të këtij viti, kompanina kineze deklaroi se kishte shitur 6.8 milionë telefona në tregun europian, kundrejt 6.1 milionë pajisjeve iPhone të shitura nga Apple.

Sipas ekspertëve dhe forumeve hi-tech në internet, nga një analizë e thjeshtë e tregut të mbingopur me telefona inteligjentë, rezulton se prodhimet Huawei kanë gjetur ekuilibrin më të përsosur mes cilësisë dhe çmimit, duke rivalizuar kështu gjigantët e afirmuar në këtë treg, si Apple dhe Samsung.

Megjithatë ka një pikë ku Apple nuk e rivalizon askush, të paktën për momentin dhe ajo pikë janë të ardhurat. Kompania amerikane vërtet ka shitur më pak pajisje, por çmimet e kripura të produkteve të saj, si iPhone X, apo edhe shërbimet që ofron me pagesë si e bënë atë kompaninë e parë në këtë sektor që kap vlerën e 1 triliardë dollarëve.

Nëse për të ardhurat mbetet primat, në klasifikimin e produkteve të shitura Apple rrezikon që të zbresë akoma më poshtë dhe sërish e kërcënuar nga një kompani kineze. Xiaomi ka raportuar deri më tani rritje të shitjeve në shifra marramendëse, thuajse 200 për qind më shumë se në vitin 2016 falë produkteve Redmi dhe Mi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë