Politike

Hoti: I kërkova Grenellit ta shtyjmë takimin në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka paralajmëruar sot se dialogu me Serbinë nuk do të ndalet, pas aktakuzës së Gjykatës Speciale kundër presidentit Hashim Thaçi, kryesuesit të negociatave. Duke folur nga Brukseli, ku po mban një vizitë zyrtare, Hoti tha se i ka kërkuar ambasadorit Grenell që takimi që planifikohej të mbahej në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor, të shtyhet për një datë tjetër.

Kryeministri foli pas takimit me David McAllister, kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Europian, tha se i ka kërkuar të dërguarit ët presidentit Trump për dialogun që samitit Kosovë – Serbi të mund të shtyhet.

“Dialogu nuk ka alternativë. Ne tani kemi autoritetin e nevojshëm institucional si shtet për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballemi. Unë në konsultim me ambasadorin Grenell kam kërkuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur. Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj që nuk duhet të diskutohen, por të respektohen. Unë besoj së tanimë si Kosovë kemi maturi insitucionale për t’i tejkaluar këto çështje”, tha Hoti.

Hoti njoftoi se do të kthehet direkt nga Brukselit në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në Kosovë, dhe nuk do të udhëtojë pa presidentin Hashim Thaçin në Uashington. Vendimi vjen pasi vetë Thaçi anuloi vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohej me delegacionin serb për të negociuar një marrëveshje paqeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë