Ana e errët

Historitë e denoncimeve në polici për bixhozin / Të shesësh makinë e gjithçka… deri edhe unazën e martesës

Një 37-vjeçar nga Shkodra për pak e mashtroi policinë me versionin e vjedhjes së automjetit, nëse njëri nga agjentët nuk do kishte qenë kërkues me pyetjen që i bëri “na trego ku e kishte parkuar makinën”. Në të vërtetë, sipas policisë numër 1 në kryeqytet agjentët kërkuan vendparkimin e makinës jo për të kryer kërkime se mos shoferi kishte harruar vendin, por deshën që të siguronin pamje të kamerave të sigurisë. Realisht nga këqyrja e kamerave rezultoi se denoncuesi nuk kishte qenë asnjëherë me mjet në këtë zonë, por përkundrazi ai shfaqet duke shëtitur në këmbë dhe duke hyrë në kazino. Kaq ka mjaftuar që oficerët të përveshin mëngët dhe t’i kthejnë prozhektorët nga denoncuesi me inicialet R. R, që bëhet me dije se kishte varësi nga bixhozi dhe në fund kishte nisur të shiste gjithçka për të luajtur kumar.

“Kam një makinë të tipit golf 7 me targa AA….I dhe nuk është e imja, por është e kushërinjve. E kam parkuar dhe nuk e gjeta më. Ma kanë vjedhur”, deklaroi R. R pranë policisë thonë për Gazetën Si burimet policore. Mbasi një oficer i hetimit të krimeve ka mbajtur shënim të dhënat e mjetit dhe identitetin e pronarit kërkon të dijë mbi zonën ku u parkua makina.

“E kam parkuar në ambientin e jashtëm të R … që është Casino”.

Policia i thotë Gazetës Si se kur denoncuesit iu bë pyetja se ku i kishte çelësat e mjetit ai është përgjigjur: me siguri duhet t’i kem në shtëpi, ose nuk mbaj mend se ku i kam harruar.

Policia i tha Gazetës Si se ka vërejtur me imtësi zonën përreth dhe nuk ka asnjë mjet me targat përkatëse të kallëzuara dhe as ngjyrë apo tip të parkuar pranë kazinosë. Policia tregon se për të zbuluar profilin e denoncuesit R. R ka pyetur të afërmit e tij. I pari që ka konfirmuar se 37-vjecari ishte plot me borxhe, ka qenë kushëriri i parë.

“Më ka kërkuar njëherë 500 euro, njëherë 200 euro më thoshte se ishte sëmurë. Pastaj më kërkoi makinën Golf 7, makina është e imja tha se i duhej për udhëtim, ja dhashë së bashku me të dy çelësat”, shprehet ky shtetas. Policia i thotë Gazetës Si se i riu me shumë mundësi e ka humbur mjetin në lojërat e fatit ose e ka lënë peng, por kjo mbetet ende për t’u verifikuar, mbasi çështja është akoma nën procedurë hetimore në drejtorinë vendore të kryeqytetit.

Ai shiti dhe unazën e martesës

Kur V. u martua siç çdokush që krijon familje, edhe ajo kishte ëndrra për një jetë të lumtur. Por 40-vjeçarja nga Tirana nuk është në gjendje të thotë me garanci se kur jeta bashkëshortore mori për keq dhe ishte e vështirë për ta shpëtuar çdo gjë. Gruaja nisi të ankohej për dhunë në familja nga A. T, një ish-zyrtar në një drejtori mbasi nuk po kontrolloheshin financat. “Pastaj pashë që në shtëpi çoja vetëm unë para, punoja në sallonin tonë dhe çdo e ardhur avullonte në mënyrë të çuditshme”. Gruaja, nënë e dy vajzave kujton përpara gjykatës ku dhe është dorëzuar padia e divorcit se pikërisht në këto kushte ekonomike nisën grindjet. “Kuptova që gënjente shumë, dhe s’më përkonin ngjarjet me njëra-tjetrën. Kisha xhelozi dhe kërkoja në këtë drejtim. Por e vërteta ishte tjetër. Kur në shtëpi filluan të humbisnin para, dyshova tek vajzat adoleshente. Nuk ishin ato. Ishte im shoq”, shprehet V. për Gazetën Si.

Gruaja mësoi se bashkëshorti kishte shkuar aq larg me borxhe sa nga persona të ndryshëm iu treguan vleftat monetare të marra borxh. “Di të them që tek njëri prej tyre kishte thënë që unë isha me kancer dhe duheshin para mbasi do më kuronte në Gjermani. I kishte dhënë 2 mijë euro”. Në një rast në tentativë për ta vënë nën kontroll gruaja u grind me bashkëshortin që reagoi duke e dhunuar.

“Kur kujtohem çuditem si nuk e kuptova, kishte ndryshime ekstreme. Bëhej i përkushtuar, i qetë, i heshtur dhe ne mendonim se i kishte thirrur mendjes. Pastaj acarohej pa shkak. Por ishte kthyer në një gropë thithëse parash. Habitem si nuk e kuptova në kohë”, shton nëna e dy vajzave.

E bindur se nuk ka kthim pas ajo i ra shkurt kur gjyqtarja familjare e ftoi për pajtim. “Ajo seancë ishte le të themi grusht i madh përpara fytyrës. Me atë burrë përpara që shfaqej sërish me atë karakterin mashtrues, gjasme të penduar e të qetë, sikur më vërshuan të gjitha peripecitë që kam kaluar. U ndjeva e mbytur dhe sapo gjyqtarja e tha fjalinë për pajtim, e pështyva tim shoq në zyrën e gjyqtares”. Duke numëruar  borxhet që nga makinat e shitura, shtëpinë në Durrës të shitur befas. V. i thotë Gazetës Si: “nuk e di nëse bixhozi është sëmundje, por është gjëja më e keqe që më ka ndodhur në jetë. Im shoq shiti unazën e tij të martesës dhe qahej se e kishte humbur duke larë duart. Nuk besoj se mund të ketë kuptim tjetër fundi se sa ky”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë