Ana e errët

Historia e Viktor Ymerit, loja e prokurorisë dhe gjykatave me të dënuarin përjetë

Lirimi i ish të dënuarit të përjetshëm Viktor Ymerit nuk ishte as suprizë dhe as e befasishme. Drejtësia prej muajsh i kishte hapur derën e burgut dhe sikurse parashikohej, mjaftonte që urdhër egzekutimi për ditët që i kishin mbetur në qeli, që Tori i Xhihanes të kthehej në qytetin e Vlorës. Prokuroria e Elbasanit menjëherë sapo Viktor Ymeri u lirua deklaroi se do ta apelojë verdiktin e gjyqtares që i dha atij lirinë. Por kjo deklaratë në të vërtetë është vetëm një frazë pa asnjë efekt, pasi lirimi i Viktor Ymerit pritej që prej verës së këtij viti. Siç rezulton nga dokumentacioni që gazeta Si disponon, lirimi i   Viktor Ymerit ishte i pritshëm pas një verdikti të shpallur nga gjykata e apelit Durrës, e cila përmbysi dënimin e përjetshëm për të akuzuarin dhe e dënoi atë me 25 vjet burgim. Tre gjyqtarët e këtij vendimi që i dhanë lirinë Torit të Xhihanes kanë pikëpyetje në karrierën e tyre dhe konkretisht, Besim Trezhnjeva u shkarkua nga Vetting-u, ndërkohë që Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri janë shpallur fajtorë si të korruptuar në një vendim për të cilin atyre ju paguan shpenzimet për në ndjekur një ndeshje futbolli.   

Sikurse tregojnë fashikujt e gjykimit, Viktor Ymeri, një ish i dënuar i përjetshëm kishte tentuar shumë herë të rigjykohej pas dënimit me dy burgime të përjetshme për vrasjen e Ilir Xhungës dhe Arben Pajës. Pas shumë përpjekjeve Viktor Ymeri, u arrestua në qershor 1999, mori një karton jeshil për rishikim të vendimit, por në shkallën e parë Durrës ai humbi. Sidoqoftë një vit më pas ( 2018) i   akuzuari e apeloi çështjen dhe nga burgim i   përjetshëm ai fitoi 25 vite burgosje. Në vendimin që gazeta Si disponon dhe ku gjykata e Apelit zbret dënimin e përjetshëm, flitet për lehtësim të të pandehurit, por pa cituar dispozita konkrete. Pavarësisht skandalit të këtij vendimi të shpallur në 2018, KLGJ nuk mori asnjë masë. Shkak i duarve të lidhura të KLGJ është bërë mungesa ILD (Inspektorjati I Lartë I Drejtësisë), e cila ende nuk funksionon dhe për këtë askush nuk mund ti hetojë verdiktet e gjyqtarëve që sikurse edhe ne rastin “Dajti”, po  zbrazin burgjet nga të dënuarit e rrezikshëm.

Gjyqtarët e Durrësit shprehen:

Në këto kushte vlerësimin kryesisht të situatës ligjore të çështjes, Gjykata e Apelit duhet t’a bëjë vetëm në funksion të lehtesimit të pozitës së të pandehurit dhe jo rëndimit të pozitës së tij, pasi një gjë të tillë ligji e ndalon qartësisht. Në lidhje me zbatimin e ligjit penal material, duke vlerësuar të drejtë deklarimin e fajësisë për të pandehurin të bërë nga gjykata e shkallës së parë, si dhe duke konsideruar se cilësimi ligjor i faktit penal duhet të mbetet i njëjtë, pra fakti duhet cilesuar sipas ligjit penal të kohes kur është dhënë vendimi penal i rishikuar, Gjykata e Apelit çmon se duhet të përcaktojë drejt zbatimin e ligjit penal në caktimin e llojit të dënimit penal për të pandehurin, në kushtet që ka ndryshime ndërmjet ligjit të kohës së ndodhjes se faktit penal dhe dhënies se vendimit të fajësisë dhe ligjit aktual kur po rigjykohet kjo çështje me proceduren e rishikimit të vendimit të formës së prerë. Gjykata e Apelit, duke ruajtur statusin e të  dënuarit që mbart në këtë rast personi ndaj të cilit rishikohet vendimi i formës së prerë, vlereson se në kushtet e fajësisë nuk mund të cenohet cilesimi ligjor i faktit penal për të cilin ai është deklaruar fajtor më parë, duke e gjetur të drejtë deklarimin e fajësisë që ka bërë gjykata e shkallës së parë, për të njejtin fakt ligjor, në kushtet që prova e re e shqyrtuar gjatë këtij gjykimi, nuk çoi drejt bindjes për pafajësinë e të pandehurit”.

Edison Harizaj, nipi i Viktorit (majtas) dhe Gaxhai (djathtas). Nuk ka asnjë fotografi të Viktorit dhe askush nuk e njeh për fytyrë

Për çfarë u arrestua Viktor Ymeri?

Jo pa qëllim Viktor Ymeri i cili mes të dënuarve etiketohet shkurt si Tori apo “kumbari”, nën zë konsiderohet si një person potencial në botën e krimit. Ndonëse për 20 vite me radhë është mbajtur në burg të sigurisë së lartë, burime të ndryshme tregojnë se gjatë kësaj kohe, influence  e tij ka qenë prezente në qytetin e Vlorës. Jo për shkak të djalit të kushërirës së tij Edison Harizajt, shkurt faqedjeguri,  (vrarë gjatë një atentati po në Durrës), por për shkak të autoritetit të Ymerajt.

Gazeta si mëson se në 28 qershor 1999, dy viktimat Arben Paja dhe shoku i tij Ilir Xhunga po udhëtonin në segmentin Spitallë-Durrës. Në dosje prokuroria shton:

Automjeti drejtohej nga Arben Paja dhe në vendin e pasagjerit gjendej shoku i tij Ilir Xhunga. Në kohën që ata kanë mbërritur në vendin e quajtur dyqani i “Dylit”, afër Policisë Durrës janë ndodhur përpara një prite të organizuar. Automjeti ku ndodheshin viktimat është goditur me një predhë antitank që ka mbetur e paplasur në pjesën e parakolpit të automjetit, poshtë targës dhe nga drejtime të ndryshme, nga e majta në të djathtë, dhe nga para e mbrapa është qëlluar me breshëri të shumta duke përdorur armë zjarri kallashnikov. Të dy personat që ndodheshin në automjet kanë gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të shumta që kanë pësuar në vendin e ngjarjes, në organet jetike të tyre. Meqënese vendi i ngjarjes ndodhej afër Drejtorisë së Policisë Durrës, menjëherë pas të shtënave të para me armë zjarri, janë vënë në lëvizje dhe kanë shkuar strukturat e policisë, grupi i gatshëm i emërtuar “Çelik 1”, që me automjetin e tyre janë vënë në ndjekje të një autoveture, me të cilën po largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes autorët e këtyre veprave të rënda ku u vranë viktimat Arben Paja dhe Ilir Xhunga dhe u plagosen persona të tjerë të cilët janë gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes. Dëmtimet e tyre kanë qenë të lehta dhe në prokurori kanë deklaruar se nuk kanë ankim. Grupi i gatshëm “Çelik 1” ka ndjekur automjetin me të cilin po largoheshin të dënuarit Gazmend Braka dhe Viktor Ymeri si dhe bashkëpunëtoret e tjerë të tyre, gjatë rrugës pranë shkollës së fiskulturës dhe në vazhdimësi duke mbajtur lidhje të pandërprera me sallën operative të Drejtorisë së Policisë Durrës nga merreshin të gjithë informacionet e nevojshme.

Në dosjen e detajuar që gazeta Si disponon shpjegohet se Gazmir Braka i njohur ndryshe si Gaxhai dhe Viktor Ymeri braktisën automjetin me targa false ku lanë edhe armatimin me të cilin realizuan atentatin. Të dy ata u fshehën  në katin e pestë të një pallati

Çfarë u thanë banorëve?

Pallati gjendet pranë degës ushtarake dhe sapo kanë takuar një çift i kanë thënë “ jemi në besën tuaj”. Më pas dëshimtarët treguan se megjithëse dy burrat ishin të armatosur, ata nuk kryen asnjë veprim të dhunshëm ndaj tyre.

Në fashikull tregohen veprimet e policies:  

Vendi u rrethua nga forca të shumta policie, hyrjet e pallatit janë kontrolluar nga grupi tjetër i gatshëm i policisë i emërtuar “Çelik 2” që kanë shkallmuar derën e jashtme të hyrjes së dëshmitarit Kujtim Ajazi dhe kanë kapur në flagrancë të dënuarit Gazmend Braka dhe Viktor Ymeri, të cilët i janë bindur organit të policisë. Në momentin e kapjes u janë gjetur secilit nga një pistoletë tip “TT” të cilat në bazë të akt ekspertimit balistik kanë qenë të rregullta teknikisht.

Në xhinset e Viktor Ymerit u zbulua pas atentatit një njollë gjaku. Nga profili i AND-së,   sipas një ekspertize të kryer në Itali rezultoi se kjo njollë nuk ishte e të arrestuarit Ymeri, por e Gazmir Brakës

Si e përshkruan Gaxhain dhe Torin hetuesit?

Me veprimet që ka kryer, i pandehuri ka treguar se e ka ruajtur këtë gjakftohtësi edhe pas kryerjes së saj duke e reflektuar këtë fakt me një sërë veprimesh si: largimi nga vendi i ngjarjes, fshehja e mjetit të kryerjes së veprës penale etj. Po kështu vërtetohet plotësisht se i pandehuri Viktor Ymeri në mjedise publike ka mbajtur një armë zjarri të tipit pistoletë pa lejen e organeve kompetente që i është sekuestruar nga punonjësit e policisë dhe me të cilën ka qëlluar në drejtim të shtetasave Ilir Xhunga e Arben Paja duke shkaktuar vdekjen e tyre.  

Viktor Ymeri është etiketuar shpesh si ushtar i   bandës së Gaxhait, por pas dënimit të këtij të fundit besohet se Viktor Ymeri është pikërisht njeriu që mbajti gjallë jashtë burgut anëtarë të tjerë të grupit, ku bënte pjesë edhe Edison Harizaj. Ekspertët besojnë se emri i Torit të Xhihanes nuk është aspak një legjendë, por me shumë mundësi për shkak të autoritetit ai ja doli mbanë të mbyllte histori për të cilat mendohet që kishin ngelur të hapura që nga vrasja e të vëllait dhe që sollën në vite përplasjen me grupin e Didi Camit. Por çështja që e mbajti për dy dekada në burg Viktor Ymerin është atentati i dështuar ndaj Lulzim Berishës, një ngjarje ku në vend të të fortit të Durrësit ngelën të vrarë Xhunga dhe Paja. Pikërisht për të shmangur një përplasje mes Berishës dhe Torit të Vlorës, atoritetet e shmangën në maksimum dërgimin e Lul Berishës në burgun e Peqinit, pasi aty mbahej i forti i Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë