Filma

Historia e trishtë ku u bazua filmi “The Terminal”

Nëse ju ka rastisur të kaloni përmes Terminalit 1 të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Charles de Gaulle’ në Paris midis gushtit 1988 dhe korrikut 2006, ju mund të keni parë Mehran Karimi Nasseri: ai nuk ishte një udhëtar si të tjerët, por njeriu që ishte pika fillestare për filmin “The Terminal” (2004), me regji nga Steven Spielberg.

Në versionin e filmit, Viktor Navorski (Tom Hanks) është një europianolindor i detyruar të qëndrojë në një aeroport të New York-ut sepse atdheu i tij ka pësuar një grusht shteti dhe ka pushuar së ekzistuari, ndërsa ai është në aeroport.

Ai shpejt gjen miq tek të cilët mund të mbështetet, gjen një punë dhe dashurohet me një stjuardesë (Catherine Zeta Jones).

https://youtu.be/GZjC9dAvWuU

Filmi brilant i Spielberg, megjithatë, tregon një histori thellësisht të ndryshme, duke qenë se në historinë e vërtetë të Nasseri nuk kishte një fund të lumtur: burri erdhi nga Irani dhe ishte drejtuar për në Mbretërinë e Bashkuar, por një ndryshim ligji dhe mungesa e dokumentacionit e la atë të bllokuar në terminalin parisien për 18 vjet.

Fillimi i historisë së Mehran Karimi Nasseri është i vështirë të përcaktohet – ai vetë ka pretenduar të ketë origjina të ndryshme me kalimin e kohës – por ajo që është padyshim e vërtetë është se për gati 18 vjet ai jetoi brenda aeroportit të Parisit.

Mehran Karimi Nasseri

I lindur në Masjed Soleiman në Iran në 1943, Nasseri udhëtoi në Mbretërinë e Bashkuar në 1973 për të studiuar në Universitetin Bradford. Ai tha se mori pjesë si student në protestat kundër Shah Reza Pahlavi: kthyer në Iran në 1977 Nasseri u burgos dhe më pas u internua për veprimtari anti-qeveritare.

Mehran Karimi Nasseri më pas kërkoi azil politik jashtë Iranit dhe, pasi u injorua nga kryeqytetet në të gjithë Europën për katër vjet, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Belgjikë më në fund i dha statusin zyrtar të refugjatit në 1981.

Letrat kredenciale të refugjatëve e lejuan atë të kërkonte shtetësinë në një vend europian: burri pretendoi se nëna e tij ishte britanike dhe, pasi kaloi vite në Belgjikë, në 1986 ai vendosi të stabilizohet në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai po udhëtonte për në Londër përmes Parisit në 1988, kur në atë moment historia ndërlikohet.

Nasseri pretendoi se dosja e tij që përmbante dokumente refugjatësh iu vodh në një tren në Paris, dhe kështu kur mbërriti në aeroportin Heathrow në Londër, kontrolli i pasaportës e ktheu përsëri në Francë, ku fillimisht u arrestua nga policia; por hyrja e tij në aeroport rezultoi e ligjshme dhe shpejt u la i lirë.

Sidoqoftë, ai nuk mund të largohej nga aeroporti.

Pa dokumente dhe pa vendin e origjinës, rezidenca e Mehran Karimi Nasseri në Terminalin 1 të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Charles de Gaulle’ në Paris sapo kishte filluar.

Ditët kaluan, pastaj javët, pastaj muajt, pastaj vitet.

Me bagazhet gjithnjë pranë tij, Nasseri e kaloi kohën e tij duke lexuar dhe studiuar ekonomi, dhe ai tregoi përvojën e tij në një ditar me mbi një mijë faqe.

Ai hante rregullisht në McDonald’s, mbështillte cigare Pall Mall – punonjësit e aeroportit e shihnin atë si një fatsjellës të terminalit dhe i sillnin gazeta dhe ushqim.

Shumë i vëmendshëm ndaj kujdesit personal, Nasseri lahej në banjën e burrave dhe i dërgonte rrobat te lavanderia e aeroportit.

Ndërkohë, situata e Naserit u njoh ndërkombëtarisht nëpërmjet gazetarëve nga e gjithë bota që vizituan aeroportin për ta intervistuar atë.

Ai merrte letra mbështetëse nga njerëz nga e gjithë bota.

Ndër të tjera, Nasseri tërhoqi vëmendjen e avokatit francez të të drejtave të njeriut Christian Bourguet, i cili më vonë u bë avokati i tij.

Zgjidhja ishte afër, sepse nëse Belgjika lëshonte ndonjë dokument të ri, Nasseri mund të identifikohej përsëri si dikush.

Por kleçka ishte ende: Belgjika mund të ribotonte dokumentet vetëm nëse Nasseri paraqitej personalisht, por ai nuk mund të udhëtonte për të marrë dokumente … pa pasur dokumente!

Për më tepër, ligji belg shprehimisht thotë se një refugjat që largohet nga vendi pasi pranohet nuk mund të kthehej.

Më në fund, në vitin 1999, qeveria belge ra dakord të dërgojë dokumentet e Mehran Karimi Naserit me postë dhe autoritetet franceze i dhanë atij një leje qëndrimi.

Por më parë kishte patur një konfuzion, i cili përfundoi duke i komplikuar gjërat vite më vonë: në 1981, kur Nasseri fitoi njohjen e refugjatit politik, atij iu dhanë dokumente me emrin e Sir Alfred Mehran dhe kombësia britanike: emri në dokumentet e marra në 1999 ishte emri i tij origjinal, Mehran Karimi Nasseri, dhe e renditi atë si iranian.

Në vitin 1999, kur mbërritën më në fund ato dokumente, ai me kokëfortësi refuzoi t’i nënshkruante ato, duke pretenduar se quhej Sir Alfred dhe se ishte britanik.

Avokati Bourguet tha se ishte i tronditur, sepse pas 11 vitesh Nasseri më në fund kishte mundësinë të merrte jetën e tij përsëri në dorë; do të kishte mjaftuar të nënshkruante dokumentet që ai zotëronte dhe pastaj të ndryshonte ligjërisht emrin e tij, por me sa duket të jetosh për vite në një aeroport mund të çojë në pasoja të çuditshme në profilin psikologjik të një personi.

Në një intervistë të vitit 2003 me GQ, Bourguet deklaroi se ndoshta Nasseri ishte çmendur:

“Ai gjithsesi afër çmendjes ishte”.

Bourguet shtoi se Nasseri ishte ”krejt i kthjellët në tregimin e historisë së tij, por me kalimin e kohës ai ishte bërë ‘pa logjikë’ dhe kështu historia e tij vazhdonte të ndryshonte”.

Njëherë Nasseri tha se ishte suedez dhe kur Bourguet e pyeti se si shkoi nga Suedia në Iran, Nasseri u përgjigj: “Me një nëndetëse”.

Kur Hollywood-i mësoi historinë, ‘Dreamworks’ dha “disa qindra mijë dollarë” – ka nga ata që flasin për 300 mijë – që Mehran Karimi Nasseri të tregonte historinë e tij për filmin “Terminal”.

Por burri asnjëherë nuk përfitoi nga shuma që fitoi.

Një tjetër prej gjërave të çuditshme në lidhje me historinë e tij është fakti që asnjë i afërm, asnjë mik, asnjë i njohur nuk u shfaq kurrë gjatë 18 viteve që kaloi në terminal.

Naseri ishte një njeri krejt i vetëm.

Në 2006 Mehran Karimi Nasseri u shtrua në spital për një çrregullim të pazbuluar ende, duke i dhënë fund qëndrimit të tij të zgjatur në Aeroportin Ndërkombëtar Charles de Gaulle: ai thuhet se u la i lirë nga spitali në 2007 dhe u transferua në një hotel pranë aeroportit.

Atij iu dha liria e lëvizjes në Francë, por ai kurrë nuk fluturoi për në Londër, destinacionin që ai kishte zgjedhur gati njëzet vjet më parë.

Prej atëherë, nuk dihet shumë, por ata që e panë në Paris në vitin 2008, thanë se ai jetonte në një strehë në periferi të Parisit. I harruar nga të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë