Ngjarje

Historia e trishtë e përdhunimit të të miturës, ngre Kosovën në protestë

Pas ngjarjes së rëndë në Kavajë, edhe Kosova është tronditur nga përdhunimi i një miture, duke bërë që mijëra qytetarë të dalin në protestë.

39-vjeçari Shkëlzen Xhekaj, mësues në një shkollë të mesme në Drenas, akuzohet se për gati dy vite ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, e cila më pas dyshohet se u përdhunua edhe nga një polic, tek i cili kishte shkuar për të denoncuar ngjarjen e rëndë.

Gjithçka filloi kur vajza e mitur kishte raportuar në polici mësuesin e Teknologjisë Informative, dënoncim që u kthye në një bumerang për të miturën, pasi polici Vesel Veseli do ta fotografonte të zhveshur gjatë analizës mjeko ligjore dhe do t’i bënte presion për të abuzuar seksualisht me të. Ai do ta detyronte madje edhe të abortonte pa dëshirën e saj.

Historia e vajzës kishte nisur në qershor të vitit 2016, kur kishte filluar të fliste përmes Facebook-ut me Xhekajn të cilin e kishte edhe fqinj, por edhe mësues në shkollën që ndiqte.
Sipas deklaratës që kishte dhënë ajo në Polici, pas komunikimit tw vazhdueshëm në rrjetet sociale, ajo dhe mësuesi kishin pirë kafe në fshat. Profesori, i cili ishte i martuar e me fëmijë, e kishte bindur të kryenin marrëdhënie seksuale, duke thënë se një ditë do të martoheshin bashkë.

Por pas disa abuzimeve të njëpasnjëshme, ajo kishte shkuar për ta denoncuar në polici, për t’u abuzuar më pas nga njeriu që duhet ta mbronte.

Ai e detyroi të kryenin marrëdhënie seksuale për më shumë se një vit, duke e çuar madje në një klinikë për të abortuar. Edhe pse pa dëshirën e saj, mjeku i kishte dhënë fund shtatzënisë të së miturës.

Ditën e sotme, mësuesi, mjeku dhe polici janë arrestuar, por ngjarja e rëndë ka tronditur shoqërinë civile në Kosovë. Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në protestë, me moton " Përdhunuesit në burg". Gjatë protestës janë regjistruar momente tensioni mes policisë dhe qytetarëve. E gjitha nisi pasi këta të fundit i kërkuan policëve të bënin dy hapa prapa në shenjë solidariteti me vajzën nga Drenasi.

Më tej protestuesit kanë nisur ofendimet ndaj policëve, duke i quajtur kriminele, apo shërbëtorë të presidentit, Hashim Thaçi apo Kreut të Kuvendit, Kadri Veseli . Protesta ka filluar në orën 12:00 dhe është organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Gjatë dy vjetëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë, që njihen edhe si raste të pedofilisë. Sipas autoriteteve të rendit në vitin 2017, në polici janë paraqitur 62 raste, kurse në vitin 2018, janë paraqitur 61.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë