Nga Gazeta ‘SI’ – Kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, Bankers Petroleum njoftoi sot se ka kallëzuar në SPAK qeverinë, për vendimin e pezullimit të aktivitetit të kompanisë si pasojë e mosshlyerjes së një gjobe 120 mln euro.
Ky është zhvillimi i fundit nga saga e përplasjeve të shtetit shqiptar dhe kompanisë Bankers, që vazhdon prej më shumë se një dekade.
Bankers Petroleum, në pronësi të kanadezëve, hyri në tregun shqiptar në vitin 2004 pasi fitoi të drejtën e shfrytëzimit të fushës së naftës Patos-Marinzë me një kontratë 25-vjeçare. Ajo që nisi si një histori suksesi, përfundoi si një strukturë e mirëfilltë kriminale.
Klauzola më e rëndësishme e kontratës me qeverinë shqiptare ishte ajo e kthimit të investimit. Bankers, duhej t’i paguante qeverisë 50% të fitimit pasi të shlyente të gjitha kostot e investimeve. Kjo klauzolë u bë burim i një skeme gjigande evazioni.
Gjatë periudhës 2005–2015, Bankers Petroleum investoi mbi 2 miliardë dollarë, sipas vetë kompanisë, ndërsa çdo vit raportonte shifra të larta investimi. Një audit i mëvonshëm gjeti se kompania kishte miliona euro shpenzime të pa justifikuara.
Goditja e parë për Bankers erdhi në vitin 2015 kur ministria e Infrastrukturës i pezulloi aktivitetin pas shpërthimit të dy puseve tënaftës duke shkaktuar përmbytje dhe rrezik për banorët nga çlirimi i gazit. Atëherë kompania nuk mori përgjegjësi për pakujdesi dhe argumenti se ndodhën “rrjedhje të pakontrolluara gjatë shpimit”. Për incidentin pati një procedim penal që u mbyll pa asnjë masë sigurie.
“S’ka zot që jeton këtu”
Puna e Bankers tërhoqi shpejt vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët reaguan të shqetësuar për ndotjen mjedisore të shkaktuar nga kompania. Organizatat europiane raportuan nivelin e lartë të ndotjes së ajrit dhe rrjedhjen e vazhdueshme të gazit.
“Kur u pyet për jetesën pranë puseve të naftës, një burrë i fshatit Kallmi, Fier tha: ‘Nuk ka zot që mund të jetojë këtu’”, raportonte atëherë BankWatch.org, organizatë e financuar nga Bashkimi Europian.
Më vonë, Banka Botërore, e cila kishte ofruar mjete financimi për Bankers, reagoi e shqetësuar për dëmin që kjo kompani po i bënte mikroklimës dhe banorëve të zonës. Qytetarët i dërguan Bankës një ankesë ku akuzonin kompaninë se kishte dëmtuar shëndetin e tyre, banesat e tyre dhe kishte ndotur rrjetet e ujësjellësve në fshat.
Kinezët
Në vitin 2016, kanadezët vendosën të shisnin aktivitetin e tyre tek Geo-Jade Petroleum Corporation, me seli në Kinë, për rreth 442.3 milionë USD. Blerja u miratua nga autoritetet shqiptare dhe shënoi kalimin e kontrollit të një fushe strategjike nafte tek një operator kinez. Në të njëjtin vit, u largua nga posti drejtues i kompanisë, Leonidha Çobo.
Skemat fiktive të Leonidha Çobos
Nën drejtimin e Çobos, kompania ka lidhur marrëveshje të dyshimta me kompani nënkontraktore për punë fiktive, një ndër të cilat ishte ajo italiane, MAB OIL Ltd, për konsulencë në tregjet e huaja. Sipas dosjes, Çobo i merrte komision prej 200 mijë eurosh në vit, kompanisë italiane.
Me anë të italianëve, përveç Leonidhës, kanë përfituar edhe persona të afërt të tij, për shërbime private përtej detit.
Vëllai, Agron Çobo e ka ndihmuar Leonidhën të përfitonte rimbursim të TVSH-së nga shteti, me anë të kompanisë së tij “Tea Co”, e cila merrte miliona nga Bankers dhe më pas këto shpenzime paraqiteshin për rimbursim, si shpenzime operacionale. Pagesat për këtë kompani zhduken pas largimit të Leonidhës nga drejtimi i Bankers.
Në fashikujt e dosjes Bankers, del se pjesë e skemës janë bërë edhe aktorë të politikës. Mes kompanive për të cilat Leonidha ka lëshuar fatura të dyshuara si fiktive është edhe kompania H2015 shkpk, për të cilën Çobo ka lëshuar fatura me vlerë rreth 300 mijë euro. Pronari kryesor i kompanisë H2015, me objekt shërbime konsulence, rezulton Besnik Mustafaj me 75.70 % të aksioneve, ndërsa 4.3 % të aksioneve i ka i biri Dardan Mustafaj.
Në media është përmendur edhe ish-deputeti socialisht Alket Hyseni, si përfituesi i 6 milionë eurove, me fatura të rreme me anë të zyrës së tij ligjore. Hyseni ka shërbyer edhe si drejtor i drejtorisë kundër Pastrimit të Parave.
Një rast tjetër mashtrimi, denoncuar nga vetë kompania ishte ajo e marrjes së tokave me qira, veprimtari e nevojshme për aktivitetin e kompanisë. Çobo raportohet se ka rritur kostot e këtyre transaksioneve, fiktivisht, nga 150 lekë m2 në 400 lekë m2, për përfitime vetjake. Kjo skemë, sipas dosjes, kryhej në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë.
Veprimtari e zakonshme për ish-drejtorin e Bankers ishte dhe ajo e fryrjes së faturave për konsulencën financiare. Një nga rastet e përmendura në dosje janë dy shërbime financiare të marra nga “PKF Albania”, me një faturë prej mbi 67 milionë lekësh. Dosja raporton transaksione të dyshimta me Bolv Oil dhe Elda, pika të tregtimit të karburanteve me pakicë në vend.
Skemat kineze
Ndonëse kinezët e ardhur pas Çobos denoncuan abuzimet e tij dhe u zotuan për transparencë, nuk e mbajtën dot gjatë premtimin. Prokuroria shpjegon se kinezët me në krye Hongping Xiao krijuan gjthashtu marrëveshje kritike, po me kinezë të tjerë, jashtë Shqipërie.
Kompanitë fiktive që regjistroheshin me adresë në Hong Kong por seli në Fier, nuk kishin aktivitet dhe të punësuar real, por deklaronin xhiro vjetore miliona euro dhe rezultonin me humbje. Qëllimi i kësaj rrjete fantazmë biznesesh ishte raportimi fiktiv i shërbimeve me qëllim rimbursimin e TVSH-së nga shteti shqiptar.
Hetimi
Pas një auditi në vitin 2015, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore pretendoi për një shumë prej 247 milion dollarësh shpenzimesh të pajustifikuara, të cilat nuk ia njohu si kosto që zbriten për efekt tatimi, por Bankers nuk pranoi të paguante detyrimet. Kjo përplasje shkoi deri në Uashington, gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit. Gjykata i dha të drejtë shtetit.
Në 2020-n AKBN trokiti sërish tek Bankers dhe gjeti mospërputhje në shpenzimet e raportuara nga Bankers Petroleum, duke theksuar se disa nga kostot e deklaruara nuk kishin dokumentacion të mjaftueshëm apo nuk lidhnin drejtpërdrejt me operacionet e naftës
Një hetim i mëvonshëm i drejtorisë së Tatimeve, që gjeti se kompania kishte rritur fiktivisht shpenzimet nëpërmjet një skeme mashtruese, për të shmangur tatim-fitimin u bë indicie për zyrtarizimin e një mashtrimi dy dekadësh.
Verën e vitit 2025-, Prokuroria e Fierit lëshoi urdhër-arrest për CEO-n e Bankers, Hongping Xiao dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm, Leonidha Çobo nën akuzëne e mashtrimit me të ardhurat, pastrim të produkteve të veprës penale dhe shpërdorim detyre. Punonjës të tjerë, pjesë e skemë u proceduan dhe u vendosën nën masë sigurie. Sipas dosjes së Prokurorisë, Bankers ka deklaruar vazhdimisht humbje, rreth 110 mln euro, për të shmangur tatim-fitimin, ndonëse ka eksportuar 5 miliardë euro naftë të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




