Ngjarje

Historia e shkurtër e një dështimi – A do ta mundë digjitalizimi krimin në Kadastër?

Nga Gazeta ‘SI’ – E krijuar në vitin 2018, si shkrirje e katër institucioneve të tjera, Agjencia e Kadastrës po transformohet përsëri. E aksesueshme vetëm virtualisht nga e hëna e ardhshme, kryeministri Edi Rama, garantoi përfundimin e një epoke plot me korrupsion që për disa vite i bëri qytetarët të “ecnin në flakët e ferrit”.

Kadastra doli nga shkrirja e ALUIZNI-t, Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekës) dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP), për të qenë nën varësinë e kryeministrisë, por me bordin e vet drejtues, kryesuar nga Artan Lame, i cili më herët drejtonte ALUIZNI-n. Prezantuar asokohe nga numri dy i qeverisë, Erjon Braçe, të dy thanë se objektivi kryesor i qeverisë ishte zgjidhja e problemeve me pronat dhe certifikimi i tyre, gjë që nuk ishte arritur kur institucionet ishin të ndara.

Por, shpejt Kadastra u bë dhimbje koke për qeverinë. Herë kur Lame dilte në konferenca për shtyp ishin kur tregonte problematikat e Kadastrës. Lame denonconte ryshfetet, falsifikimet dhe zgjatjet e proceseve që sipas tij ishin ndër pengesat kryesore të këtij institucioni. Në një konferencë të vitit 2019, Lame i habiti të gjithë kur iu shfaq publikut live me fjalët: “O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat për miqtë. Të dyja bashkë nuk mund të bëhen”.

Problematikat në Kadastër u bënë shqetësim edhe për Ambasadën Amerikane në vend; ambasadorja Yuri Kim bënte thirrje për mbylljen e hapësirave për korrupsion dhe për të vënë para ligjit përgjegjësit e krimit brenda institucionit.

Referuar vetë kryeministrit Rama, ASHK-ja kishte kërcënime nga të katërta anët, për të finalizuar, prioritizuar apo ndryshuar dokumenta ku kishte akses.

LEXO EDHE:
– Mbi 3 mijë ndërhyrje te pronat në bregdet vetëm në Durrës, Lame tregon thelbin e problemeve të Kadastrës
– A “u mbyt” në Lalëz Kadastra e Durrësit?
– Alibia që kërkon Artan Lame

Vlora dhe Durrësi, ishin dy ngërçet më të mëdha të Kadastrës, ku problemet me pronat ishin pasojë e konflikteve disavjeçare, ku përfshiheshin emra të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë dhe kontigjentë kriminalë.

Që nga viti 2019, në Vlorë janë ndërruar 14 drejtorë të Kadastrës. Problematikat atje nisën pak pasi ishte krijuar institucioni, me konstatime falsifikimesh, abuzimesh me legalizimet dhe vonesa në procedura. Pak muaj më parë, ASHK kallëzoi në SPAK shtatë zyrtarë, përfshirë drejtuesin aktual, Erdet Mandi, për “shpërdorim detyre”. Largimet e drejtuesve, vetë apo nga qeveria, Lame i quajti atëherë “rënie të piramidave të vjetra” dhe paralajmëroi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në qytetet e tjera. Ish-drejtori Lame pranoi publikisht se Kadastra atje përballej me presione kriminale.

Në verën e 2021, ngërçi i Kadastrës u spostua në Durrës, kadastra e së cilës u transferua në Tiranë, e kjo “për shkak të procedurave të tejzgjatura”. 

Kështu, ASHK-ja e Durrësit, dorëzoi nën masa të forta sigurie të gjitha arkivat e saj, ku ishin dosjet e bujshme të konflikteve të pronësisë në bregdet. Atëherë, zëra jozyrtarë treguan për Gazetasi.al pse përpjekjet e qeverisë për të vënë rregull në Kadastrën e Durrësit dështonin njëra pas tjetrës: “Drejtorët e punonjësit më parë iknin se sa vinin. Askujt nuk ua mbante që të hidhte firma në dokumente. Që nga mos-arkivimi i dokumentacioneve, arkivimi i tyre tjetër për tjetër e deri te ndërhyrja te hartat që nuk përputhen me pronësinë reale në terren”.

Këto zëra u konfirmuan zyrtarisht nga vetë Lame kur tha se agjencia kishte identifikuar në të paktën 3.115 raste në zonat bregdetare të Durrësit, ku ka ndërhyrje në regjistrat e Kadastrës.

“Janë 730 faqe të grisura, 243 faqe të zëvendësuara. Pra kanë hequr një faqe dhe kanë vendosur një faqe tjetër. 569 faqe të dubluara, pra e njëjta pasuri është e regjistruar dy herë për dy persona të ndryshëm. Janë 1548 faqe bosh që janë brenda regjistrave, të cilat lihen me qëllim që kur të vinte hallexhiu i radhës dhe ta fusnin në ato faqe. Ka pafundësisht ndërrime fletësh që janë bërë në hartë”, deklaronte Lame në marsin e vitit 2022.

Pak muaj pas konflikteve në Durrës, në janar 2022 kreu i Kadastrës mori një propozim nga qeveria: shkrirjen e të gjithë zyrës rajonale të ASHK-së në Durrës. Propozimi, mbeti pa një përgjigje, të paktën publikisht.

Lame e la Kadastrën në shkurt të këtij viti duke thënë se po largohet pasi “mbaroi reformimin”.

Sot, 30 qershor 2023, kryeministri Rama pranoi se ndonëse kaq shumë kohë në qeveri, në Kadastër nuk ka pasur asnjë përmirësim, madje ajo ndodhet në gjendje katastrofike. A e ka pasur këtë deklaratë për të hedhur poshtë punën e Lames, apo për të motivuar shefen e re të ASHK-së Dallëndyshe Bici, këtë Rama nuk e sqaroi!

Njëzëri me Bicin, Rama tha se fundin e korrupsionit dhe zvarritjes e sjell vetëm digjitalizimi dhe largimi i individëve. Rama tregoi se “Kadastra nuk do të funksionojë më fizikisht pas 3 korrikut dhe dyert do të mbyllen për këdo që i kishte të hapura se aty kishte miq, krushq apo se thjesht ishte i Partisë Socialiste”. Kreu i qeverisë vazhdoi të tregonte “çudirat që ka parë tek Kadastra, ku janë dhënë letra për shkëmbinj, për ujë deti dhe një tokë u është dhënë disa personave njëkohësisht”.

“Kadastra është një bankë dhe aty duhen bankierë e jo banakierë”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë në prezantimin e Reformës digjitale të Kadastrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë