Lojëra me Dore

Historia e rrallë e Siakam, nga prift në simbol të NBA-së

Paskal Siakam është një nga lojtarët më tërheqës në NBA, si nga pikëpamja basketbollistike, ashtu edhe nga ajo romantike apo e së kaluarës së tij. Disa ditë më parë ai ka firmosur një kontratë të majme me Toronton: 130 milionë dollarë për 4 vjet, maksimumi i mundshëm. Pas një paraqitje të jashtëzakonshëm në 2018-19-ën, zbulimi i sezonit nuk ka ndërmend të ndalet në rritjen e tij. “Nuk shoh limite, e ndjej se ky është vetëm fillimi për mua dhe kam shumë për të dhënë. Jam i lumtur kur mendoj për të ardhmen dhe faktin se mund të përmirësohem. Kanë kaluar vetëm 3 vjet nga koha që kam hyrë në NBA dhe nuk mund të ndalem tani”, - thotë kamerunasi.

Siakam nuk e mendon dot veten pa basketbollin, pa mundësinë për të shfrytëzuar çdo ndeshje, çdo stërvitje. Ai ëndërron të bëhet basketbollisti më i mirë në botë. Është paradoksale, kur mendon se kur ishte fëmijë, basketbolli nuk përfaqësonte absolutisht asgjë në jetën e tij. Historia e Siakam ka lindur në Kamerun, në fshatin Bafia, shumë larg dritave të NBA-së. Në fillim ëndërronte të bëhej futbollist, më pas vendosi të studionte për t’u bërë prift, pasi ishte dëshira e madhe e babait të tij Tchamo. Por zemra dhe ambiciet e Paskalit ishin shumë të mëdha për t’u mbyllur në një fat të parashkruar.

Paskal Siakam realizon një kosh në NBA. Gazeta Si, 27 tetor 2019

Nisi të luante basketboll pa mbushur 14 vjeç, sepse ishte shumë i gjatë për të bërë diçka tjetër. Brenda një kohe të shkurtër u përfshi me mish e me shpirt në këtë sport. E kuptoi menjëherë se ishte basketbolli “bileta” vetëm vajtje drejt së ardhmes më të mirë për të. Fati pastaj ka bërë të vetën. Potencialin e tij e zbuloi në Kanada Luc Mbah, i cili e pa në një fushë gjatë verës së 2011-ës. Vitin pasardhës mori pjesë në “Basketball Without Borders” (basketbolli pa kufij”, ku i impresionoi të gjithë, edhe Masai Ujirin, presidentin e ardhshëm të Toronto Raptors. Kështu, iu dha mundësi për të luajtur në Amerikë. Përvoja me New Mexico State, ku talenti i tij shpërtheu me një mesatare prej 20.3 pikësh për ndeshje, i hapi rrugën për në NBA.

Babai nuk mundi të gëzonte shkëlqimin e tij, pasi humbi jetën në një aksident rrugor në tetor të 2014-ës. Siakam mori një goditje të fortë në shpirt. Toronto i la numrin 27 në “draft 2016”, duke e lënë për një pjesë të mirë të sezonit te Raptor 905, por ai nuk e mori këtë vendim të klubit si mungesë respekti apo besimi. Besoi shumë se ishte mundësia për të nxjerrë në pah vlerat e tij. I çoi Raptors 905 te titulli, duke u shpallur lojtari më i mirë i finaleve. Në sezonin 2017-18 ishte pjesë e zgjedhjeve të trajnerit Dëane Casey. Në vitin e tretë u ngjit në 16.9 pikë për ndeshje dhe u bë një nga lojtarët më rëndësishëm të Raptors, tashmë me Nick Nurse në stol dhe Kawhi Leonard si yllin e skuadrës. Titulli në NBA dhe kontrata e firmosur përfaqësojnë atë që quhet “Canadian Dream”, versioni romantik i “ëndrrës amerikane”.

Paskal Siakam në aksion. Gazeta Si, 27 tetor 2019

I zhdërvjellët, shumë i shpejtë dhe me një hapje krahësh prej 222 centimetrash. Shumë i mirë në aspektin teknik, nuk ka asgjë që Siakam nuk di ta bëjë në mënyrë instiktive në parketin e basketbollit. I lindur për këtë lojë. Ta shohësh teksa vrapon aq lehtë në 28 metra dhe të mendosh evoluimin e tij, është një nga spektaklet më të bukura që mund të shijosh në NBA. Në çdo ndeshje shton diçka të re, duke u përmirësuar, pa parë mbrapa. Babai Tchamo jeton brenda tij dhe ndez zjarrin e pasionit. Atë zjarr që e bën koshin e basketbollit kaq personal për të. Por më e mira, siç thotë vetë Siakam, ende nuk ka ardhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë