Dosje

Gjakmarrja mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj, vrasjet nisën për 10 mijë lekë të vjetra karburant

Gazeta Si - Dyshimet e policisë se vrasja e Ardian Nikulajt u krye për gjakmarrje, u konfirmuan një ditë më parë, kur mes grupit të organizatorëve ishte edhe Edmond Haxhia, i afërm i familjes Lekstakaj.

Shqiptaro-britaniku Haxhia, është djali i dajës së Elton Lekstakajt, fisi i të cilit ka një konflikt me Nikulatj që prej vitit 1996, ku Ardiani është viktima e pestë tashmë.

LEXO EDHE:
Vrasja e biznesmenit Nikulaj/ Fisi Lekstakaj: Portugez që flet shkodrançe

Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë, e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra të dyshuara si të papaguara.

Vëllai i Ardian Nikulajt, bashkë me një person tjetër, ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën.

Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.

Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes.

Ndërsa në vitin 1999, vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazbardhura ende.

Megjithatë këtë sagë mes dy familjeve, pavarëisht se kishte kaluar kohë, Ardian Nikulaj lëvizte lirshëm në Lezhë.

“Mbi bazën e materialeve të referuara nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal nr. 205, viti 2023 për veprën penale 'Vrasje për motive gjakmarrje' e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, 'Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal' dhe 'Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak'”, - tha Muhamet Rrumbullaku gjatë konferencës për shtyp.

Të gjithë autorët e dyshuar, sipas kreut të policisë, pas ngjarjes kanë arritur të largohen nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë