Ana e errët

Histori të çuditshme/ Bashkëjetonte me sekretaren, por u martua me dikë tjetër. Përndjekja që bashkoi një çift

Gazeta Si - Marrëdhënia e tyre ishte me ulje ngritjet e një historie të rinjsh, deri ditën kur pa i dhënë asnjë shenjë, G.I., e njoftoi se po martohej për hatër të prindërve.

43-vjeçari u justifikua përpara bashkëjetueses që punonte sekretare në kompaninë e tij, me frazën se nusen ia kishte gjetur babai në fshatrat e Kukësit dhe se nuk ia kthente dot fjalën.

Mes grindjeve dhe sherreve të vazhdueshme, 33-vjeçarja nga Berati, në fillim shpresoi se martesa nuk do të kryhej dhe se dashuria me patjetër do të triumfonte.

Por kur pa që i dashuri po përgatitej për t’u bërë dhëndër e për të shkuar në altar dhe kur në fund ai u martua, V. vendosi që ta mbyllte atë kapitull pa zhurmë, duke fikur telefonin e duke u kthyer në qytetin e lindjes.

“Bashkëjetuam për gati 6 vjet. Kishim mosmarrëveshjet tona, por e fundit ishte goditje përfundimtare. U largova tek prindërit në Berat dhe i thashë se nuk kishte asnjë kuptim marrëdhënia dhe as dashuria që më betohej. Nuk i tregova që kjo ishte një ndarje”, - nis rrëfimin në policinë e kryeqytetit e reja.

Gjithçka që ndodhi në muajt në vazhdim, nuk ishte më shumë zhgënjim nga e reja, sesa reagimi që solli “arratisja”  e sekretares tek ish-bashkëjetuesi, që pas muajit të mjaltit me nusen e tij, nisi sherret me vajzën që e la.

Muajt në vazhdim, sipas dosjes që iu tregua Gazetasi.al dhe që i ngjan një  telenovele, ishin plot me kërcënime, shantazhe, sharje dhe kanosje, jo vetëm në adresë të ish-bashkëjetueses, por edhe të prindërve të saj që i hapën derën vajzës së tyre dhe nuk pranonin që G.I., ta kontaktonte.

Ai e la, por u pendua

Në dosjen hetimore që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, policia përmend se largimi nga banesa, ku çifti bashkëjetoi me qira në zonën e Astirit, e më pas bllokimi në çdo adresë në rrjetet sociale, e ka nevrikosur së tepërmi kuksianin.

Nga të dhënat e hetimit shton policia, G.I., pas dasmës, muajit të mjaltit dhe jetës martesore, nisi gjashtë muaj më pas një proces për zgjidhjen e martesës.

“I kallëzuari gjatë kësaj periudhe, i kërkoi të dashurës së parë që të ktheheshin në bashkëjetesë, duke i kujtuar se po ndahej për hatër të saj. Ajo nuk pranoi dhe refuzoi të ulej në bisedime me të denoncuarin. Në gjendje të dehur, G.I., ka shkuar në banesën e prindërve të paditëses dhe ka fyer, sharë dhe i ka kanosur prindërit”, - shkruan në një procesverbal rrethanat e faktit një oficer i policisë së Tiranës.

Policia deklaron se sherret vazhduan disa javë dhe muaj, e sakaq i riu akuzoi pa ndërprerje prindërit e ish të dashurës se po e pengonin të komunikonte e ta sqaronte vajzën.

Kallëzuesja kujton në dosjen policore: “I bërtiti prindërve të mi se do t’i vriste. Ju tha në një nga rastet, se vajzën do ua vriste se i prisha familjen. Do shkoj në fund të botës dhe do ta gjej, bërtiste poshtë pallatit dhe ne u mbyllëm të gjithë si familje. G.I., u kthye në makthin tonë dhe ishim në ankth”, - rrëfen më tej e reja në dëshminë e saj.

Në ditët në vazhdim, kuksiani sfidoi babain e ish-të dashurës: “Dil të të sqaroj se e kam pasur të dashur vajzën tënde”.

Por siç kuptohet edhe nga deklaratat e dy të moshuarve, ata janë përpjekur të qëndrojnë indiferentë dhe të shmangin incidentet.

Në njërën nga këto ditë, e reja u largua fshehtas nga banesa drejt një qyteti tjetër për shkak se ndihej e trembur nga ish-bashkëjetuesi.

Materiali i komisariatit numër katër, shpjegon se si përmes një shkrese me protokoll numër 8550, përmenden dëshmitë e veçuara të dy partnerëve, pasi vajza nga Berati kërkoi urdhër-mbrojtjeje dhe depozitoi një kallëzim penal për akuzën e përndjekjes.

I dyshuari, sipas policisë kërkoi falje, ndërkohë që në fillim e reja ka insistuar se presioni dhe këmbëngulja e ish të dashurit ishte aq e fortë sa ajo ndryshoi stilin e të jetuarit familjarisht.

Por kur materialet u referuan në prokurori, denoncuesja ka depozituar një tjetër dëshmi shtesë.

“Ish i dashuri u kthye dhe ne po bashkëjetojmë. Ai u divorcua përfundimisht dhe them që e kam falur, megjithëse e pata të vështirë. Më kërkoi falje dhe ju kërkoi falje edhe prindërve. Me vullnetin tim jetoj me të denoncuarin dhe marrëdhëniet tona janë shumë të mira, jo vetëm midis nesh, por edhe prindërve tanë” - jep dëshminë shtesë e reja.

Sidoqoftë, çështja është ende nën hetim dhe derisa agjentët të dalin në konkluzion, çiftit do t’i nevojitet që të paraqesë edhe një shkresë, ku ashtu siç vërtetoi G.I., që u divorcua, do t’u duhet të bindin policinë se bashkëjetuesit sapo janë martuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë