Ngjarje

Hipoteka e Tiranës zhvendoset në Rinas, godina do të shembet (Foto)

Godina e Hipotekës së Tiranës, e ndodhur pas shkollës “Harry Fultz” do të shembet. Pas tërmetit të 26 nëntorit ajo është klasifikuar e pa sigurt dhe se brenda javësh ajo do të shembet. Pas akt-ekspertimit mësohet se objekti shtetëror, ku gjenden edhe zyrat e Tatimeve të Tiranës do të shembet.
Gazeta “Si” ka mësuar se i është dhënë urdhër që të zhvendosen të gjitha dosjet e materialet, pasi Kadastra ka vendosur që të shpërngulet në periferi, në zonën e Rinasit, pikërisht në Tirana Biznes Center. Shteti pritet t’i marrë qira këto ambiente derisa t’i gjejë ndonjë godinë më të përshtatshme për Kadastrën e Tiranës (ish-hipotekën).

Punonjësit duke nxjerrë dosjet nga Arkiva dhe transportuar për në godinën e re. Gazeta “Si” 17 dhjetor 2019


Një distancë e largët që mund të sjellë edhe probleme për qytetarët që mund të aplikojnë tashmë jashtë kryeqytetit disa kilometra larg. Sipas burimeve të Gazeta “Si” zyra e Kadastrës ka menduar të lërë aty shërbimin online ADISA, ndërsa edhe Tatimet e Tiranës do të zhvendoset në një nga godinat në zonën e 21 Dhjetorit. Godina aktuale edhe pse është një ndërtim i ri, nga jashtë duket se nuk ka pësuar dëmtime, por mësohet se brenda ka probleme të shumta me shkallët e brendshme, veçanërisht në pjesën ku ndodhet pjesa e Tatimeve.

Kjo do të jetë godina e parë që do të shembet në Tiranë, edhe pse përflitet se probleme ka edhe godina tjetër e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ku ndodhet edhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Edhe aty punonjësit e godinës janë zhvendosur. Për këtë institucion ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar nëse do të ketë fatin e godinës së ish-hipotekës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë